Ëndrra europiane e shqiptarëve “endet” kampeve të BE-së

Të dhënat e Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilit (EASO) bëjnë me dije se deri në fund të muajit qershor të këtij viti ka pasur 11,595 raste aplikimesh nga shqiptarët për të fituar statusin e azilit në një prej shteteve të BE-së. Po sipas të dhënëve të kësaj zyre, 46% e këtyre aplikimeve kanë më shumë se 6 muaj që mbahen pezull, ndërsa pjesa tjetër janë të vitit 2019.

Në janar të vitit 2018, rastet e mbetura pezull ranë në rreth 7,300. Por ato filluan të rriteshin sërish në pjesën e parë të këtij viti, si rrjedhojë e rigjallërimit të ciklit të emigracionit.

Rastet e mbetura pezull janë ndër më të lartat në rajon edhe për faktin se aplikimet për azil janë dukshëm më të larta në raport me shtetet fqinjë, mesatarisht 4-5 herë më shumë. Serbia ka rreth 1500 raste pezull, Maqedonia e Veriut, 740, Bosnja 619, ndërsa Kosova 1600.

Të dhënat e tjera të EASO tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit 2019 kishte 10,439 kërkesa për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm, me 29.3%.

Duhet theksuar se pjesa më e madhe e atyre që presin përgjigje për aplikimin e tyre ka gjasa të larta të marrin përgjigje negative. Të dhënat e EASO tregojnë se mesatarisht 93-96% e aplikimeve nga shqiptarët marrin përgjigje negative. Për shembull, në qershor nga 1750 aplikime që u shqyrtuan, vetëm 58 morën status refugjati ndërsa 57 morën mbrojtje sociale, të tjerët u refuzuan.

Arsyeja kryesore është se Shqipëria nuk është as në luftë dhe as në konflikt civil, që do i jepte përparësi qytetarëve të saj. Përkundrazi, ajo cilësohet prej vitesh si një vend i sigurt dhe për më tepër është në proces për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Sidoqoftë, refuzimi nuk duket se i bën shqiptarët të heqin dorë. Që nga viti 2014, mbi 180 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së, ku rekordi u arrit në vitin 2015, me rreth 69 mijë aplikime. Pas rënies në periudhën në vijim, viti 2019, i shoqëruar me kriza të tejzgjatura politike, duket se nxiti një valë të re ikjesh.

Burimi: Monitor

Back to top button
LAJMET E FUNDIT