Je ministër, jo hanxhi zoti Klosi

Sipas mediave, në të vërtetë në disa variante, një familje spanjolle, e cila vizionte Shqipërinë, është dhunuar nga pronari i një restoranti. Një ngjarje e pazakontë, që nuk ka asnjë lidhje me mikpritjen tonë për të huajt, gjithsesi ende e pandriçuar deri në fund.
Tani, këtë famile spanjolle shkon e takon (me çetën e kamerave nga pas patjetër) ministri i Turizmit, i cili kësisoj një problem mes dy individësh apo një pronari dhe shoferit shqiptar të një familje turistësh, e kthen papritmas në një çështje shtetërore, në të cilën ai bëhet palë.
Nëse në Spanjë, në Gjermani apo kudo ndodh një ngjarje e tillë, pra një shtetas shqiptar dhunohet nga një vendas, me të drejtë apo padrejtësisht, nuk e takon asnjë ministër, asnjë zyrtar i lartë (dhe nuk ka pse) veç atyre strukturave që janë të caktuara për këto punë.
Ka ndodhur që shtetasit shqiptarë janë dhunuar në vende të tjera; edhe janë vrarë, janë braktisur, janë përzënë; rastet fatkobe të shqiptarëve janë aq të shumta, por asnjëherë një ministër, një zyrtar i lartë, një shtetar, nuk e ka parë të arsyeshme të kërkojë ndjesë në emër të një pronari, të një gardiani, të një polici.
Për më tepër, në shumë raste , pikërisht shtetarët që drejtojnë këtë vend, jo veç prej sodit, as nuk kanë protestuar, nuk e kanë ngritur zërin, nuk kanë thirrur askënd, të paktën për të ngushëlluar familjet tona që kanë pësuar humbje të rënda. Nuk kanë kurajo, nuk kanë takat apo janë palo burra nuk e dimë.
Por dimë që në jo pak raste shqiptarët vriten e dhunohen rrugëve të Europës dhe shteti nuk ka asnjë reagim, e jo më t’u dhurojë andej nga nëpërkëmben tufa lulesh.
Sidoqoftë, pyetja është: Përse e bëtë këtë ju zoti Ministër? Ju nuk jeni hanxhi dhe as kërkues faljesh, sa herë që bëhet një dëm! Ju jeni për të ndrequr atë që duhet ndrequr, për t’ia nisur punëve nga e mbara; jeni për të ngritur një politikë turistike joshëse, strategji afatgjata, silluni si burra seriozë ju dhe shefi juaj, jo si lolo instagramesh.
Sepse zoti Ministër i Mjedisit dhe i Turizmit, hanxhitë kërkojnë falje! Ministrat ndërtojnë politikat e shtetit! Kërkim ndjesa juaj nuk rregullon asgjë dhe veç të tjerave në vend që të vinit vetullat, na nxorrët sytë. E bëtë një çështje shtetërore, e rritët, e amplifikuat një ngjarje banale; e gjitha kjo vetëm për konsum politik, shoun e përditshën të imazhit mediatik, me të cilin ju si grupim nuk paskeni të nginjur.
Nuk ndreqen gjërat duke i kërkuar falje një familje spanjolle e as duke marrë përsipër të përfaqësoni Shqipërinë në një çështje banale, të cilën, do e gjykojë drejtësia dhe si kudo në botë, do të ketë verdiktin e saj.
Nuk rregullohen problemet e mëdha përmes daljes si pupac në media, por duke u marrë seriozisht me Shqipërinë reale.
Shkoni tek ajo gruaja që u mbyt për një thes sherebel. Po pash zotin, shkoni njëherë diku pa kamera e fotografë.
Hiqni dorë nga shteti me fushata dhe nga patetizma si ai i sotmi, nëse doni vërtet të ndryshoni diçka në thelbin e problemeve të këtij vendi, thelb që nuk e zgjidhin lulet tuaja qesharake, as asfaltet dhe kalldrëmet, të cilat edhe ato me trefishin e kostove.
Dita