Kleri katolik shqiptar si imazhi simbol i perceptimit tё armikut tё popullit nga diktatura komuniste nё Shqipëri

>Nga Dr. Gjon Boriçi

1. Në vend të hyrjes – Marksizmi vs. Krishtërimit

Debati i madh qё ёshtё zhvilluar pёrgjatё dy shekujve tё fundit pas lindjes sё teorisë marksiste dhe Krishtërimit, padyshim qё do tё linte gjurmët e veta nё pёrplasje tё ashpёr politike ndёr vendet ku ideali komunist i frymëzuar nga mësimet e Marksit do tё persekutonte shoqёritё e vendeve me sistem njё partiak komunist. Nё Evropёn e shekullit tё XIX, pas pёrfundimit tё Kongresit tё Vjenёs dhe tё vendosjes sё sistemit tё ri nё marrёdhёniet ndёrkombёtare qё i dha fund luftёrave tё Revolucionit Francez, nё kontinentin e vjetёr filluan tё lulёzonin njё larmi idesh radikale, republikane dhe socialiste. Vitet 1830-1840, ishin vite tё frymёzimeve politike dhe ambicioze duke patur si shembull Frederikun e Madh, idetё jakobine, mendimet e Kantit dhe Fihtes dhe inovacionin e epokёs sё re. Mendimi politik i Marksit u formёsua pikёrisht nё kёtё epokё. Trashёgimia racionale ishte veçanёrisht e rёndёsishme pёr tё ndarё identitetin nga ajo çka u bё e njohur nё vitet 1830-1840 me emrin ‘socializёm’.1

Kriticizmi i Marksit ndaj fesё bazohej mbi ballafaqimin ndёrmjet “Shtetit tё Krishterё” dhe “Shtetit tё arsyes”. Nё kundёrshtim me tё parin, qё sipas tij nuk ishte njё bashkim moral i qenieve njerёzore, por njё bashkim besimtarёsh, filozofia kёrkonte qё “shteti tё ishte shtet i natyrёs njerёzore”.2 Identifikimi i shtetit prusian të epokёs sё Marksit me Krishtёrimin dhe shoqёrinё civile, shtyu vetё Karl Marksin tё mendonte njё rrugё pёr pёrmbysjen e madhe. Pёr Marksin, shoqёria e krishterё, ishte e njёjtё me shoqёrinё civile dhe rendin feudal qё ai quante ‘rendi kafshё’.3 Do tё ishte Fojerbahu i cili do tё shtonte se “Krishtёrimi edukonte individualizmin dhe nuk lejonte lindjen e njё etosi (karakteri) komunal (tё pёrbashkёt)”.4 Sipas tij, Krishёrimi kishte ndarё unin nga ti, me bashkimin e veçantё tё çdo individi me qenie personale tё jashtme: me Krishtin. Do tё ishte kjo pёrplasje e fortё idesh pёr tё “rrёmbyer” sa mё shumё mbёshtetёs tё cilёt do t’i hapnin

udhё pёrmbysjes sё madhe me njё aleancё tё pandershme ndёrmjet atyre qё mendojnё dhe atyre qё vuajnё.

2. Identifikimi i klerit katolik si kundërshtari nr. 1 i regjimit komunist në Shqipëri

Që në vitin 1945, posaçërisht pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, në mbledhjet e mbajtura nga data 6 deri më 10 dhjetor 1945 filloi identifikimin e tendencave oportuniste që kishin dominuar vijën e Frontit Demokratik.5 Sipas përfundimeve të këtyre mbledhjeve kishte qenë gabim që në zgjedhjet për në asamble të lejoheshin të konkurronin edhe ata “rryma” që sipas Byrosë Politike kishin luftuar kundër fitores. Tre ishin forcat të cilat qysh në fillim të pushteti komunist dhe ligjёrimit të tij me anë të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 qё u identifikuan si kundërshtarët më potencialë të regjimit që u instalua: borgjezia, kleri katolik dhe intelektualët reaksionarё.6

Leksionet e mbajtura kundёr klerit katolik ishin të gjitha të mbështjella me pasaktësi të mëdha historike çka tregon nivelin tepër të ulët teorik të atyre që i mbanin. Shumë prej dokumenteve që kam hulumtuar nuk kanë emër mbiemër se kush i ka referuar dhe as të nënshkruara në fund. Në këto ligjërata ngrihej në qiell lufta e Bashkimit Sovjetik [mё tej: BS] dhe largpamësia e këtij të fundit ndaj rrezikut nazist që i kanosej botës.7 Kjo nuk është aspak e vërtetë pasi ishte BS ai që nënshkroi më 23 gusht 1939 paktin e mossulmit me Gjermaninë naziste duke i lënë dorë të lirë Hitlerit në copëtimin e Polonisë me BS dhe të Evropës lindore.8 Interesant është fakti se Partia Komuniste Shqiptare kishte kërkuar të bënte aleancë me klerin katolik për rrethin e Shkodrës për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.9 Për këtë arsye, për të bërë fushatën elektorale, PKSH

dërgoi në Shkodër Sejfulla Malëshovën i cili e filloi fjalimin e tij nё Shkodёr duke evokuar punën e madhe të rilindësve shkodranë Vaso Pasha, Abat Doçit, Fishtën, Mjedën e Luigj Gurakuqin.10

Por, përpjekja e PKSH për të lidhur aleancë me katolikët në Shkodër dështoi pasi kleri katolik kishte refuzuar madje edhe kërkesën e Malëshovës për të themeluar një Parti Demokristiane sipas at Zef Pllumit.11 Kjo parti të krijohej me kushtin që të bënte pjesë në Frontin Demokratik, por ipeshkvi Gaspër Thaçi e kishte refuzuar pasi nuk dëshironte që kleri katolik të përzihej në çështje politike.12

Në një leksion/instruksion partie i qarkut Berat vihen në dukje problemet që do të kishte pushteti komunist me klerin katolik. Edhe pse në këtë leksion thuhet se çështja e klerit katolik nuk ishte problem në qarkun e Beratit, ai ishte një problem me rëndësi për partinë.13 Sipas leksionit, kleri katolik ishte bërë boshti i reaksionit në Shqipëri sidomos në veri të vendit. Mjaft domethënëse është pjesa ku shkruhet: “Ata [katolikët] kanë organizimin e tyre, ata nuk janë me ne. Duke marrë parasysh nivelin e tyre të ngritur, kapacitetet e tyre dhe frymën e tyre anti popullore ata janë sot një rrezik për ne”.14 Në leksion jepej udhëzimi që asnjë komunist të mos hynte në polemikë me klerin katolik pasi kjo gjë nuk ishte e favorshme, por të përpiqeshin t’i ndalonin për të mos luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen reaksionare të vendit.15

Pamundësia për të lidhur aleancën me klerin katolik dhe nëpërmjet tij me shumicën e katolikëve të Shqipërisë, ndezi propagandën më të ashpër komuniste kundër kësaj strukture mijëravjeçare shqiptare. Nga strukturat e aktivit të partisë në Shkodër vijuan të “vërshojnë” në komitetin qendror të PKSH-së qindra njoftime ndaj punës armiqësore të klerit katolik në vitet e luftës.16 Një fakt interesant që vjen nga ky dokument është fakti se qyteti i Shkodrës sipas arkivit

të partisë ishte çliruar pa luftë.17 Një tjetër fakt interesant në këtë dokument është shtesa në informacion me shkrim dore: “Karakteristikë është qëndrimi i ftohtë i shtresave katolike”.18

Në informacionin që paraqiste më 16 janar 1945 për qytetin e Shkodrës i dërguari i PKSH Mihal Prifti, situata paraqitej aspak shpresëdhënëse për komunistët.19 Sipas Mihal Priftit, populli në qytet ishte i ftohtë, indiferent dhe spektator mbi gjithçka ngjante përqark tij. Populli nuk merrte pjesë në asgjë e për më tepër elementi katolik ishte shumë i lidhur me klerin e me reaksionin.20 Elementi katolik në Shkodër ishte i organizuar në shoqata të ndryshme çka përbënin edhe ndarjen më të madhe ndërmjet elementëve të ndryshëm me parullat kundër lëvizjes dhe për të sabotuar mobilizimin.21 Shtresat e ulëta sipas Mihal Priftit duhet të ishin baza nga ku duhej të fillonte mobilizimi për të afruar popullin me lëvizjen.22

3. Klerit katolik dhe katolikët si kundërshtarë të regjimit

Që në fillim të vitit 1946, në raportet që vinin nga qarku i Shkodrës, shikohet se theksi vendosej tek fushata kundër elementëve të Klerit Katolik.23 Nga raporti i datës 3 tetor 1946 i dërguar nga Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën, informohej se koka e reaksionit ishte kleri katolik i mbështetur nga shërbimi i fshehtë britanik.24 Por, sesi e mbështeste shërbimi britanik klerin katolik në qytetin e Shkodrës nuk jepet asnjë fakt. Thjesht, kleri katolik ishte armiku kryesor që punonte natë e ditë për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri. Sipas raportit kleri katolik punonte në heshtje dhe në mënyrë shumë konspirative.25 Kleri mundohej ta paraqiste sipas raportit pushtetin e PKSH-së si anti fetar.26

Sipas statistikave të Sigurimit të shtetit përpiluar në Shkodër në janar 1979 (dokumenti është pa datë) në vitin 1945 në Shqipëri kishte 145 meshtarë katolikë.27 Në raportin e 2 nëntorit

1946, deklarohej se kleri katolik me gjithë tërheqjen e tij mbetej kokë drejtuese e reaksionit dhe se nuk ishte goditur aq fort sa duhet.28 Deri në muajin nëntor 1946, kleri katolik ishte elementi që kishte pësuar goditjen më të rëndë nga pushteti komunist në Shqipëri. Nga dosjet që kam hulumtuar të deklasifikuara së fundmi, më rezulton se nga viti 1945 deri mё 1946 ishin arrestuar dhjetëra priftërinj katolikë dhe mbi të gjitha ishin ekzekutuar 6 prej tyre.29 Ndërsa në burg kishin vdekur nga torturat katër priftërinj katolikë.30 Kjo sipas Qarkorit të PKSH për degën e Shkodrës nuk quhej goditje e fortë? Çfarë duhej të ndodhte që të quhej goditje e fortë? Deri në fund të regjimit komunist në Shqipëri, numri i klerikëve katolikë të pushkatuar sipas një statistike të Sigurimit të Shtetit e përpiluar në Shkodër më 22 dhjetor 1978 është 26.31 Ndërsa numri i klerikëve katolikë sipas të njëjtit dokument të vdekur në burgje është 18.32

Në muajin nëntor vijuan arrestimet e tjera të klerikëve katolikë imzot Frano Gjinit për shkak se tek kisha e fretënvet (Kuvendi Françeskan) më 14 nëntor 1946 u gjetën armë.33 Si kishte mundësi? Të vërtetën e armëve në Kuvendin Françeskan e “plasi” një ish sigurims i quajtur Pjerin Kçira më 19 maj 1949 kur vetë u arrestua dhe kishte dalë para gjyqit si anëtar i grupit të Koçi Xoxes.34 Në gjyq, Kçira do t’i shprehej kryetarit të gjyqit:

“Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë duke ia futur armët në kishë, e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret…për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të Enver Hoxhës ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm. Ju keni qenë ata që më keni detyruar të torturoj priftërinj dhe rregulltarë katolikë, pasi i kishit akuzuar pa asnjë bazë. Ju keni qenë ata që më keni urdhëruar të vendos natën armë në kisha e kuvende dhe objekte kulti me qëllim gjetjen e një preteksti për të eliminuar klerin dhe Kishën Katolike”.35

Pushteti komunist nëpërmjet Sigurimit të shtetit kërkonte të mbyllte çdo “çerdhe” katolike siç i quante kuvendet dhe shtëpitë e murgeshave që të mos kishte asnjë mundësi të flitej kundër PKSH-së.36 Megjithatë, Sigurimi vigjilonte edhe ndaj nëpunësve të vet si me rastin e Brahim Shparit oficer i Sigurimit në Shkodër vetëm për faktin pse ishte shoqëruar me të rinj katolikë.37 Ndërsa për komunistin katolik Kol Ashta, përmes raportit thuhej se nuk mund të quhej i besueshëm për partinë sepse ishte shpirtgjerë e i mëshirshëm.38

Në goditjen ndaj klerit katolik nuk bënte përjashtim Tirana. Goditja që ishte dhënë në Shkodër në vitet 1945-1947 padyshim që do të ndihej edhe në Tiranë. Në raportin dërguar Komitetit Qendror nga aktivi i partisë së Tiranës më 4 mars 1947, informohet se tek katolikët e Tiranës për arsye të goditjes që kanë pësuar shikohet një frikësim i madh.39 Duke qenë se shumica e katolikëve të Tiranës ishin me origjinë nga Shkodra padyshim që lidhjet me atë qytet ishin të forta, familjare dhe miqësore. Të jetuarit në këtë qytet prej më shumë se 30 vjetësh i kishte identifikuar ata si njerëz të biznesit e të kulturës. Sipas raportit, numri i katolikëve ishte i mirë, por që qëndronin larg aktiveve të partisë.40 Shumica e tyre sipas raportit ishin intelektualë dhe nëpunës të vjetër që kishin pasur poste me rëndësi në shtet dhe ishin në kontakt të vazhdueshëm me njëri tjetrin dhe e ruanin miqësinë.41 Radhët e partisë në Tiranë “mbusheshin” nga shtresa të varfra dhe të pa arsimuara42 dhe katolikët nuk bënin pjesë në asnjërën nga shtresat e lartpërmendura. Në asnjë rresht të raportit nuk flitet se ishin rekrutuar katolikë nga Tirana në radhët e PKSH-së. E gjithë kjo bëri që katolikët e Tiranës të quheshin kundërshtarë të regjimit. Ndër parullat sipas qarkorit të partisë së Tiranës që lëshonte kleri katolik ishte se “feja katolike po luftohet ndërsa ortodoksëve dhe myslimanëve u jepet subvencion nga shteti”.43

Megjithatë nga Shkodra në Tiranë raportet nuk reshtnin së informuari mbi aktivitetet “armiqësore” të reaksionit katolik kundra pushtetit popullor të PKSH-së. Çdo fjalë e pamatur qoftë

edhe në formë shakaje (është i njohur humori shkodran për barcaletat e panumërta për regjimin) dhe e gjithë kjo veprimtari quhej çorientuese në punën e partisë.44 Komiteti i partisë i rrethit të Shkodrës kërkonte një goditje edhe më të fortë ndaj klerit dhe reaksionit katolik pasi nuk ishin goditur aq sa duhet.45

Para problemeve të fillimit të mosmarrëveshjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, raportet nga rrethi i Shkodrës për aktivitetin e klerikëve katolikë janë më të shpeshta. Sipas tyre, ishte i vetmi rreth kundërshtar që megjithë goditjet e forta që kishte pësuar në vitet 1945-1947, përsëri fliste kundër Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.46

Në fakt, me çfarëdolloj problemi politik që kishte pushteti komunist në Shqipëri me të huajt, Kisha Katolike e Shqipërisë patjetër që kishte gisht. Në një raport të Sigurimit të shtetit, për vitet 1944-1947, kisha katolike e Tiranës ishte nyje e ndërlidhjes midis reaksionit të brendshëm, Vatikanit e zbulimeve të huaja.47 Në raportin e Sigurimit të shtetit për klerin katolik, del se ky i fundit kishte qenë përgjegjës për të gjitha pushtimet e huaja që kishin ndodhur në Shqipëri që nga koha e pushtimi otoman (që në raport shkruhet Automan).48 Thuajse në çdo gjyq që zhvillohej kundër klerikëve katolikë siç dëshmon edhe At Zef Pllumi, një nga akuzat ishte se “jeni përgjegjës që nga kryqëzatat e deri tek përpjekjet për të përmbysur pushtetin popullor”.49 Pra kleri katolik, ai që kishte ndërtuar shkollat e para shqipe në Shqipëri dhe që kishte mbajtur gjallë këtë gjuhë të lashtë, na ishte obskurant dhe i ishte kundërvënë në çdo kohë traditave dhe zakoneve më të mira

të popullit shqiptar.50 Borgjezia katolike dhe kleri katolik ishin një dhe meqë ishin dukshëm anti komunistё, rrjedhimisht ishin edhe anti shqiptarё.51

Megjithatë, sipas raportit të Sigurimit të shtetit edhe pse kleri katolik kishte pësuar goditje të forta, përsëri nuk e kishte ndërprerë veprimtarinë antikomuniste dhe rrjedhimisht tradhtinë ndaj atdheut dhe popullit.52 Por me gjithë goditjet e herëpashershme që kishte marrë kleri katolik, vijonte të ishte armik i betuar i rendit socialist.53

Për çdo dështim që mund të ndodhte në jetën e përditshme sidomos në rrethin e Shkodrës, fajin për të gjitha e kishte reaksioni me klerin katolik në krye.54 Identifikimi i kësaj strukture si armiku nr. 1 i pushtetit komunist në Shqipëri e bënte të thjeshtë detyrën e kryetarëve të Komiteteve të partisë në Shkodër që për çdo gjë të akuzonin Kishën Katolike dhe klerin e saj. Madje, informacionet marrin edhe trajta groteske pasi edhe për luftën që zhvillohej në ato vite në Greqi, Kinë apo Palestinë, padyshim që kishte gisht edhe kleri katolik.55 Megjithatë, arrestimet e klerikëve vijonin dhe në fund të vitit 1948, njoftohej edhe për katër klerikë të tjerë katolikë të arrestuar dhe dymbëdhjetë shtetas të besimit katolik tё arratisur.56

4. Rinia katolike armike e rrezikshme e regjimit komunist

Edhe përsa i përket arsimit në rrethin e Shkodrës, profesorët më të mbikëqyrur dhe rrjedhimisht më të goditur ishin ata të besimit katolik.57 Akuza ishte se kishin nxitur rininë gjimnaziste të liceut dhe të normales që të kundërshtonin punën vullnetare gjatë viteve 1946 dhe 1947.58 Të përpiqeshe të “sabotoje” punën e Frontit Demokratik duke i bërë propagandë rinisë që të mos merrte pjesë në ato mbledhje apo mitingje ishte krim i rëndë që nuk duhej lënë pa

ndëshkuar.59 Arrestimet dhe përjashtimet nga shkolla dhe presioni që iu ishte bërë familjeve të tyre e kishte frenuar për disa kohë aktivitetin e tyre kundër pushtetit popullor.60

Duke marrë shkas edhe nga një vërejtje e Enver Hoxhës me shënimin përkatës në fund të raportit, kryetari i komitetit Abaz Laze rekomandon se katër studentë të demaskoheshin dhe të përjashtoheshin menjëherë nga shkolla. Si për ironi të fatit të katër këta studentë ishin të besimit katolik.61 Një nga parullat e shkruara në një copë letër dhe që ishte kapur prej Sigurimit të shtetit ishte: “Rr. Sh. (Rroftë Shqipnia). Dita 28 nëntor Dita e Flamurit nuk festohet. Kurse dita e 29 nëntorit dita e okupimit të Shqipnis prej Bishës Komuniste Festohet. Mos e humb shpresën popull se pas vuajtjeve vjen Liria..”.62

Seksioni Organo-Instruktor i Komitetit Qendror të PKSH-së i kryesuar nga Manush Myftiu kërkonte gjatë të gjithë muajit janar 1948, sesi ishte gjendja në liceun e Shkodrës dhe çfarë masash ishin marrë në përgjigje të aktivitetit kundërrevolucionar të studentëve atje.63 Ndërkaq edhe pse u morën masa të rrepta, përsëri hedhja e parullave në copa letrash nuk u ndal.64 Duke qenë se masat e marra nuk po jepnin rezultat, komiteti i partisë për rrethin e Shkodrës i kërkonte organizatës bazë që të vijonte me demaskimin dhe izolimin nga masa të gjithë elementëve që ishin kundër pushtetit dhe të vijonte përjashtimi nga shkolla të elementëve të cilët ishin propozuar edhe më parë për këtë masë.65 Goditja e komitetit të partisë dhe organizatës bazë të Shkodrës nuk u ndal vetëm tek katolikët gjimnazistë, por edhe tek ata katolikë që ishin anëtarë partie dhe pjesëtarë të Sigurimit të shtetit si Pjerin Kçira etj.66 Ky grup katolikësh anëtarë të PKSH u godit me akuzën se gjoja paraqiteshin si komunistë për të mbrojtë sektorin katolik i cili gjoja po goditej nga pushteti dhe nga partia.67

Në të gjithë qytetin e Shkodrës sipas raporteve të vitit 1948, kishte nga 1800 deri në 2000 të rinj e të reja katolikë.68 Sipas raportit të gjithë këta ishin nën ndikimit e klerit katolik me anë të organizatave dhe shoqërive si Don Bosko, Stigmatine, Antoniane, rrethi katolik juvendes etj.69 Sipas raportit, kleri me anë të këtyre shoqatave kishte rrënjosur tek të rinjtë katolikë kulturën fashiste. Kjo dallohej se ata thuajse të gjithë dinin italisht, dëgjonin këngë italiane dhe akoma më keq lexonin libra italisht nëpër shtëpitë e tyre.70 Një tjetër element që e dallonte rininë katolike në Shkodër ishte dashuria e madhe për Italinë dhe urrejtja karshi popujve sllavë.71 Për të treguar se nuk ishin dhe nuk do të ishin të prirur të merrnin kulturë marksiste, pas mbylljes së gjimnazit të etërve jezuitë dhe françeskanë 90% e të rejave dhe të rinjve katolikë nuk vazhduan në shkollat e shtetit.72

Megjithë goditjen e rëndë të klerit katolik i cili sipas raportit të vitit 1948, tregon se nga më shumë se 24 priftërinj katolikë që kishte Shkodra kishin mbetur vetëm 6 (3 priftërinj dhe 3 fretër), kurse 18 ishin pushkatuar dhe burgosur.73 Kur zhvilloheshin mbrëmje kulturore, dëgjohej dhe vallëzohej nën tingujt e muzikës italiane dhe të rinjtë katolikë merrnin pjesë masivisht në ato mbrëmje dhe krenoheshin se ishin reaksionarë.74 Megjithëse u morën masa të rrepta ndaj elementit kundërshtar katolik75, përsëri PKSH ishte larg fitores ideologjike dhe kulturore ndaj kësaj shtrese. Të bindur se nuk do t’ia dilnin vetëm duke e persekutuar këtë shtresë, taktika e re që duhej përdorur e kombinuar me dhunën shtetërore të organizuar, ishte ndërtimi i kulturës së re komuniste e cila do të sfidonte kulturën katolike.

5. Përpjekjet e pushtetit komunist për të kontrolluar Kishën Katolike të Shqipërisë

Papërputhshmëria e ideologjike ishte një tjetër faktor i rëndësishëm që e etiketonte si armik të popullit klerin katolik dhe katolikët shqiptarë. Ndërsa kleri bektashi, ishte më pranë lëvizjes komuniste.76 Problemi që kishte pushteti në rastin e klerikëve ishte vetëm një: katolikët. Në relacionin datës 28 dhjetor 1949 lidhur me mbledhjen e klerit katolik në Shkodër të datës 28 dhjetor 1949 për të diskutuar mbi projektligjin e datës 27 nëntor 1949 për komunitetet fetare, kleri katolik kishte shfaqur shqetësim dhe frikë se mos shkëputeshin lidhjet me Vatikanin.77 Synimi i regjimit ishte që Kisha Katolike e Shqipërisë në udhëzimet e pushtetit të zgjidhte ajo ipeshkvit dhe jo Vatikani. Dëshmia më e qartë për këtë na jepet nga pjesëmarrësi i vetëm i gjallë i kёsaj mbledhjeje që i mbijetoi sistemit komunist at Zef Pllumi. Edhe tek vetë kleri katolik i mbledhur pati debate të forta sipas at Pllumit lidhur me statutin e ri të Kishës Katolike Shqiptare. Megjithatë, përsëri në këtë mbledhje triumfoi krahu i fortë katolik për t’i bërë ai një ultimatum qeverisë shqiptare; pa Papë nuk ka Kishë Katolike ashtu si nuk ka komunistë pa Moskën.78 Kjo ishte përgjigja sipas at Pllumit që at Marin Sirdani i kishte thënë Tuk Jakovës kur ishin takuar në Tiranë për të diskutuar për projekt-statutin e Kishës Katolike Shqiptare.79

Megjithë vuajtjet e tmerrshme, vrasjet, torturat, burgosjet, kërcënimet, kleri katolik shqiptar vijonte rezistencën. Domethënëse ishte fjala në mbledhje e dom Ernest Çobës i cili tha:

“…se me pushtetin deri tani jemi dakord, por ne rast se na prek kodin kishtar si edhe lidhjet me Papën neve nuk do të pranojmë”.80

Pushteti po i bënte një mijë të zeza klerit katolik. Në vitin 1946 në valën e goditjes së madhe, Këshilli i Ministrave i Republikës Popullore të Shqipërisë kishte nxjerrë dekretin nr. 14 të datës 6 mars 1946 për konfiskimin e të gjithë pasurisë së jezuitëve dhe françeskanëve dhe klerit katolik në përgjithësi, në Shkodër, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë.81 Vendimi i 6 marsit ishte nga më të rëndët dhe godiste fort Kishën Katolike të Shqipërisë pasi e quante aktivitetin e këtij institucioni si anti kombëtare.82 Urdhri i Enver Hoxhës për sekuestrim ishte i plotë. Të vetmen gjë që kryeministri shqiptar nuk i preku klerit katolik ishin kishat.83 Duke parë këtë rezistencë thjesht

logjike, propaganda komuniste në vitin 1949 rifilloi më me intensitet betejën për të bindur popullin shqiptar se nuk luftonte fenë katolike por vetëm klerikët reaksionarë.84 Por duke qenë se nuk mund të mbulohej krimi i kryer, ekzekutimet dhe burgosjet e klerikëve katolikë justifikoheshin se ishin armiq të pushtetit dhe se kishin qenë të drejta, të domosdoshme dhe me vend.85

Sipas komunistëve kleriku i parë katolik shqiptar që ishte edhe tradhtari i parë ishte imzot Prenk Doçi, abati i Mirditës i cili konsiderohej si kryeagjenti i Austro-Hungarisë në vend në fundin e shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX në Shqipërinë e veriut.86 Parulla e tij “për fe e për atdhe” për komunistët shqiptarë ishte thjesht maskimi i ngatërresave që bënte.87 Problemi i madh që pushteti kishte me katolikët siç na njofton ky raport i vitit 1949, ishte se kleri katolik ishte shumë më i kulturuar dhe i organizuar se dy klerët e tjerë shqiptarë të marrë së bashku.88 Një tjetër problem të cilin komunistët shqiptarë nuk e përdornin dot kundër klerit ishin edhe predikimet në kishë. Me porosi të imzot Ernest Çobës, klerikët duhet vetëm të flisnin dhe të luteshin për paqen në të gjithë predikimet e tyre.89

Një tjetër rrugë që përdori pushteti komunist për gjunjëzuar klerin katolik dhe për ta shkëputur nga Vatikani ishte edhe përdorimi i shtypit zyrtar. Gjatë hulumtimit kam gjetur tituj të artikujve kundër klerit katolik si ai i vitit 1951me titull “Shkëputja nga Vatikani, një ngjarje me rëndësi për Kishën Katolike Shqiptare”.90 Artikulli në fjalë ishte shkruar në zyrat e Komitetit Qendror dhe bënte fjalë për aktivitetin reaksionar të Vatikanit si aleat i klasave sunduese.91

Një tjetër raport i përpiluar me shkrim dore nga dy komunistë katolikë, Tonin Jakova dhe Mark Ndoja shkruajnë se “marrëdhëniet tona si shtet me klerin katolik kanë ngecë në një pikë të vdekur. Kjo ka sjellë një qëndrim armiqësor të klerit katolik kundrejt Republikës tonë popullore”.92 Tek ky raport vihet në dukje se megjithë sulmet, kleri katolik edhe pse u ishin prerë të gjitha burimet, përsëri nuk i kishte kërkuar shtetit shqiptar asnjë lloj ndihme financiare.93

Organizimi i Kishës Katolike të Shqipërisë nuk kishte asnjë ndryshim me organizimin e Kishës Katolike Universale si nga pikëpamja juridike ashtu edhe në atë administrative dhe mbështetej në bazën e kodit kanonik.94

Qëndresa e klerit katolik solli një valë të re arrestimesh me autorizimin direkt të ministrit të Punëve të Brendshme Mehmet Shehu.95 Vuajtjet vijuan edhe dy vjet të tjera derisa më në fund shteti komunist bёri kompromis me Kishёn Katolike të Shqipёrisё. Në Tiranë, më 30 korrik 1951, me vendim nr. 1332, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore të Shqipërisë aprovoi Statutin e Kishës Katolike Shqiptare.96 Neni 1 ishte fitorja më domethënëse e kësaj qëndrese të përgjakshme të klerit katolik shqiptar. Ky nen pjesë e këtij statuti thoshte:

“Kisha Katolike e Shqipërisë ka karakter nacional, është person juridik dhe përfshinë në gjirin e saj të gjithë besimtarët katolikë në Shqipëri. Ajo frymëzohet nga parimet fetare të Kishës Katolike botërore që është themeluar nga Jezu Krishti, ndën kryesinë fetare të Papës, pasardhës i apostullit Pjetër. Ajo nuk mban me Papën asnjë marrëdhënie organizative, ekonomike ose politike”.97

Ishte një fitore e shkëlqyer dhe një humbje e madhe për komunistët. Papa ishte pranuar si kryetari fetar i Kishës Katolike të Shqipërisë. Komunistët nuk ia kishin dalë dot ta shkëputnin fenë katolike në Shqipëri nga qendra botërore e këtij besimi. Sikur për t’ia shtuar më shumë zemërimin Mehmet Shehut, vetë imzot Bernardin Shllaku i dërgon një telegram falënderimi për këtë “arritje”.98

6. Kultura komuniste shqiptare vs. kulturës katolike

Nga shfrytëzimi i materialeve arkivore që po prezantoj për herë të parë, ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ishte zelli suprem i ndonjë intelektuali që dikur fliste me superlativё për kulturën katolike dhe për hir të karrierës, nuk hezitonte të sulmonte edhe kolegët e tij vetëm nëse kishin ndonjë shkrim që lavdëronte punën kulturore të priftërinjve katolikë. Ishte e pabesueshme

tek shfletoja fletë pafund të dosjeve dhe lexoja sesi sulmoheshin anëtarë të rëndësishëm partie si Sejfulla Malëshova për qëndrime jo parimore partie.99 Njerëzit e arsimuar e ndjenin se për të bërë karrierë në art e shkencë patjetër duhet t’i shërbenin me vendosmëri regjimit, madje edhe duke sulmuar kolegët e tyre.100 Që të bëjë karrierë duhej me “skrupolozitet shkencor” dhe “akademik” të sulmoje edhe me shpifje figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare ku më të shumtët ishin padyshim klerikët dhe laikët katolikë. Kush mund të guxonte të thoshte qoftë edhe një gjysmё fjale të mirë për klerikët katolikë që i kishin dhënë aq shumë kulturës shqiptare padyshim që do të etiketohej armik dhe aq më tepër nëse do të kishte në komisione shkencore katolikë ata duheshin sulmuar menjëherë.101

Më 5 qershor 1948, në Tiranë mbahet një mbledhje e rëndësishme e Byrosë Politike ku ndër të tjera diskutohet edhe për klerin reaksionar katolik dhe ndikimin e tij.102 Shkrimtarët katolikë do të ishin jashtë çdo lloj dyshimi në shënjestrën e diktaturës për të përmbysur ndikimin e tyre në kulturën shqiptare. Në projekt-vendimin e Komitetit Qendror (pa datë) të vitit 1949 u synua krijimi i një letërsie në formë nacionale me përmbajtje socialiste.103 Ky projekt vendim synonte t’i jepte një shtysë të re letërsisë së re të realizmit socialist dhe evidentonte punën e dobët në luftën ideologjike ndaj shovinizmit letrar dhe mbeturinave të tjera borgjeze. Sipas Komitetit Qendror, kritika letrare e drejtë, parimore dhe konstruktive kishte munguar.104

Për shkrimtarët katolikë çështja nuk ishte kaq e thjeshtë për t’i nxjerrë jashtë. Edhe pse ishin mbështetur nga Roma (Propaganda Fide) dhe mbas shekullit XVII nga Austria, vepra letrare që ata krijonin ishte një gjë që i shërbente çështjes shqiptare. Që këtej e tutje fraza “letrarët katolikë” do të zëvendësohej me frazën “shkolla e klerikëve katolikë të Shkodrës”, armike zyrtare e letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri.105 Tek kjo konferencë, figura qendrore e klerit katolik

në letërsi që duhej goditur dhe anatemuar, ishte ajo e Gjergj Fishtës. Nga Komiteti Qendror jepen udhëzime se kushdo që do të referonte për Fishtën, edhe pse para vitit 1924 i njihej ndonjë meritë, ajo nuk duhej shtruar në referatin që do mbahej në konferencë.106 Formulimi që duhej të merrej për bazë për sa i përket veprës së Fishtës ishte si më poshtë:

“Pavarësisht nga çka mund të ketë merituar Fishta, gjë që do të shihet nga kritika e ardhshme, ai vuri kapacitetin dhe talentin e tij në shërbim të lodrave imperialiste në vendin tonë. Ai, luftën e popullit shqiptar që duhej të drejtohej kundër Turqisë kryesisht e devijon kundër fqinjëve; shovinizmi i tij tek “Lahuta e Malësisë” ka arritur në kanibalizëm, duke falsifikuar edhe ndjenjat e popullit tonë”.107

Shkolla e klerit katolik në Shkodër ishte e padiskutueshme në ndikimin kulturor të vendit edhe nëpërmjet dy revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”.108 Por, vepra që do të anatemohej e ndalohej deri në fund të jetës së regjimit komunist në Shqipëri ishte padyshim “Lahuta e Malësisë”. Regjimi komunist e quajti një vepër shoviniste që drejtohej kundër fqinjëve të Shqipërisë.109 Sipas nomenklaturës komuniste “Lahuta”, nuk qëndroi vetëm në shovinizëm, por e çoi shovinizmin në një urrejtje të vërtetë raciale, karakteristike të fashizmit dhe të imperializmit.110

Sipas komunistëve shqiptarë, shkolla katolike e Shkodrës kishte bërë edhe një dëm tjetër shumë të madh në pengimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe duke bërë të mundur triumfin e gegërishtes apo të shkodranishtes.111 Me këtë akt, fillon nga komunistët shqiptarë edhe përçarja krahinore ndërmjet shqiptarëve.112

7. Përpjekjet e Sigurimit të shtetit për të përpunuar klerin katolik

Sigurimi i shtetit si organi që kishte goditur më shumë dhe më fort klerin katolik shqiptar, bënte të gjitha përpjekjet për ta shkatërruar armikun nr. 1 të popullit. Nëse nuk ia dilte mbanë, atëherë të bënte të gjitha përpjekjet që ta përpunonte dhe ta të kishte tërësisht vegël në duart e veta. Përveç viteve të para të vështira të gjysmës së dytë të viteve ’40, në vitin 1950, nën një trysni shumë të madhe klerikët katolikë shqiptarë, ata që ishin ende gjallë bënë një veprim të paprecedent.

Më 5 tetor 1950, sipas njoftimit të Zenel Islamit nga Komiteti i Partisë i rrethit të Pukës113, tre klerikë katolikë Dom Engjëll Kovaçi, padër Leonard Shajaku dhe Dom Jak Gazulli i kishin dërguar një letër Kryetarit të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork (New York) kundër agresionit anglo-amerikan në Kore.114 Letra e tre klerikëve katolikë të Pukës u shoqërua nga tre letra të tjera kësaj radhe nga Shkodra të klerit katolik në atë qytet siç njofton Tonin Jakova më 25 nëntor 1950.115 Por në dallim nga klerikët e Pukës, katër klerikë katolikë at David Pepa, at Konrad Gjolaj, dom Nikoll Bushati dhe Dom Pjetër Tusha nuk e kishin firmosur letrën për Këshillin e Sigurimit ndaj luftës në Kore.116 Veçanërisht ndaj Dom Pjetër Tushës për shkak të refuzimit të tij rekomandohej që të demaskohej në shtyp.117 Ndërkaq pjesa tjetër e klerit katolik shkodran duke filluar me ipeshkvin Bernardin Shllaku i ndjekur nga firmat e 22 klerikëve të tjerë e kishin firmosur peticionin.118 Interesant është fakti, se letra/peticioni ishte i njëllojtë si ajo e tetorit që e kishin firmosur klerikët e Pukës. Nuk kishte asnjë fije dyshimi se kjo letër ishte përgatitur ose në Komitetin e partisë ose në zyrat e degës së punëve të brendshme. E njëjta letër po kësaj radhe pa datë, ishte nënshkruar edhe nga klerikët katolikë të Tiranës Dom Mark Dushi, Dom Zef Bici etj.119 Edhe abacia katolike e Mirditës kishte vepruar po njëlloj,120 po ashtu edhe ajo e Zadrimës121, Lezhës122 dhe e Durrësit123.

Nё njё raport tё vitit 1951, theksohej se puna e aktivistëve të partisë krahasuar me punën e klerit katolik ishte shumë e dobët dhe se kuadrot e partisë nuk kishin arsimimin përkatës për t’iu kundërvënë doktrinës së katolicizmit.124 Vetë Enver Hoxha në këtë raport kaq pesimist ka lënë shënimet e tij. Me shkrim dore në fletën 7 të këtij raporti ka shkruar: “Kjo s’është mirë”.125

Sigurimi i shtetit nuk mund të kishte sukses me klerin katolik pa e implikuar atë për çdo akt “tradhtie” që ndodhte në kampin e socializmit. Kështu, pa prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë, klerit katolik i atribuohet “tradhtia” e të qënurit në shërbim të titistëve jugosllavë.126 Sigurimi me anë presionesh, ia kishte dalë mbanë të rekrutonte edhe katolikë në çetat ilegale të Pal Bib Mirakës, Kol Çunit dhe Zef Pjetër Marashit.127 Një ish klerik katolik emri i të cilit nuk bëhet i ditur, merr përsipër “fajin” se ishte agjent i zbulimit italian duke pohuar gjithçka në gjyqin kundër tij.128 Nga hulumtimi i qindra faqeve të dokumenteve për klerin katolik, të bie në sy fakti se çdo prift katolik që është ekzekutuar apo burgosur dhe që nuk ka pranuar “fajet” i vishen atribute agjenturore fantastiko-shkencore.129

Vetë zëvendësministri i Punëve të Brendshme “i famshmi” Mihallaq Ziçishti, me një urdhër tepër sekret të datës 17/XI/1958, urdhëron planin e masave për vazhdimin e marrjes së masave aktive kundër klerit katolik.130 Ai prift që nuk pranonte të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të shtetit, fillimisht internohej.131 Udhëzimet tij janë një fakt i rëndësishёm se ku e kishte përqendruar punën Sigurimi për të rekrutuar agjentë në radhët e kryesisë së Kishës Katolike të Shqipërisë. Xhakojtë ishin një element i mirë për t’u pranuar si agjentë nga Sigurimi, madje u premtohej edhe karrierë në sferën kishtare nëse pranonin.132

Nga statistikat që kam hulumtuar nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se deri në fundin e vitit 1958, në rrethin e Shkodrës gjendeshin të lirë 42 klerikë katolikë nga të cilët 9 ishin në përpunim 2-A, 1 në përpunim B.P., 17 në kontroll operativ 2-B dhe 15 ishin kontingjent i Sigurimit.133 Po ashtu, edhe përsa i përket murgeshave katolike numri i të cilave ishte 39, 17 ishin në kontroll operativ 2-B. Nga 132 anëtare të këshillave të kishës prej të cilave vetëm 2 ishin në 2-A dhe 9 në kontroll operativ 2-B. Në radhët e këtij kontingjenti vepronin 3 agjente, 22 informatore dhe 2 strehuese.134

Me mbylljen e kishave shumë priftërinj katolik ri-arrestohen ndërsa objektet e kultit i kthyen në terrene sportive për çlodhje e argëtim për masat punonjëse.135 Edhe pse pësoi goditjen e “mbrame” për çudinë e Sigurimit, fjala e imzot Ernest Çobës ishte tronditëse: “Nuk heqim dorë nga feja deri në vdekje”.136

Në vitin 1973 në Shkodër, arrestohet kleriku Mikel Gjergj Gjoni i cili dënohet me vdekje. Ekzekutimi i tij u bë në vitin 1974.137 Në periudhën 1974-1975 arrestohen klerikët Ndrek Krroqi dhe Martin Tushi me akuzën se ndiqeshin si agjentë të mundshëm në shërbim të zbulimeve të huaja. Edhe pse në gjyq sipas raportit të vetë Sigurimit nuk iu provua asgjë, u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë.138

Në vitin 1976, arrestohet ipeshkvi Ernest Çoba me ish kolegët tij Zef Hardhija, Kolec Toni, Lec Balto Sahatçia, Ndoc Ndoja, Gaspër Jubani.139 Arrestimi i tyre u bë sepse “dihej” që ishin armiq të betuar të atdheut dhe popullit dhe kishin bashkëpunuar me reaksionin e brendshëm dhe të jashtëm në dëm të interesa të lirisë së popullit dhe atdheut.140 Interesat është fakti se në çdo akuzë përsëritej se kleri katolik gjatë të gjithë periudhave historike të vendit kishte qenë në shërbim të zbulimeve të huaja imperialiste dhe Vatikanit.141 Tek arrestimet e klerikëve të bie në sy fabrikimi i akuzave ku klasifikoheshin si bashkëpunëtorë edhe të “tradhtarëve” të partisë duke filluar nga Tuk Jakova e deri tek Beqir Balluku e komplotistët e tjerë në ushtri, ekonomi, art e kulturë etj.142

Në vitin 1978, në rrethin e Shkodrës ishin në gjendje të lirë 33 klerikë nga të cilët 29 me arsim të lartë teologjik, ndërsa 5 të tjerë kishin kryer shkollën françeskane.143 Nga radhët e tyre, 7 klerikë ishin në përpunim 2-A, prej të cilëve 4 ndiqeshin si agjentë të zbulimeve të huaja dhe 3 për veprimtari kundër revolucionare në formën e agjitacionit dhe propagandës. 21 ishin në kontroll operativ dhe 3 prej tyre ishin kontingjent i Sigurimit.144 Po ashtu Sigurimi kishte evidentuar 224 persona të tjerë që kishin lidhje me klerikët katolikë, prej të cilëve 7 i kishte në përpunime 2-A, 37 në kontroll operativ 2-B dhe 111 kontingjent i Sigurimit.145 Përveç shifrave të lartpërmendura, nga

këto kontingjente, 21 klerikë ishin arrestuar dhe vuanin dënimet në kampe e burgje.146 Në radhët e përpunimeve të klerit katolik, Sigurimi kishte 6 agjentë dhe 12 informatorë, prej të cilëve 3 ishin me arsim të lartë teologjik, pa përmendur sipas raportit ata bashkëpunëtorë që ishin për llogari të drejtimeve të tjera, por që jepnin të dhëna edhe për përpunimet e kontingjentet e këtij drejtimi.147

8. Përfundime

Beteja e gjatë e sistemit komunist në Shqipëri kundër klerit katolik dhe katolikëve shqiptarë në përgjithësi përfundoi kur më 11 nëntor 1990 në qytetin e Shkodrës dom Simon Jubani celebroi meshën e parë pas 23 vjetësh në Shqipëri.148 Informacionet që vinin nga Shkodra mbi hapjen si kërpudhat pas shiut të kulteve fetare ishin fakti më domethënës për dështimin e regjimit komunist në luftën ndaj fesë në Shqipëri e klerit katolik në veçanti. Ishte një betejë e gjatë 45 vjeçare që nisi në vitin 1945 për të përfunduar në vitin 1990. Vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij para “zgjedhjeve” të vitit 1982 kishte deklaruar se besimi fetar dhe praktikimi i tij lihej në gjykimin e secilit person.149 Në gjysmën e dytë të viteve ’80 presioni nga shtetet perëndimore ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë ishte në rritje dhe vizitat e lejuara të disa klerikëve shqiptarë që ishin arratisur nga vendi po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Vizita kulmore e një kleriku shqiptar ishte ajo e Nënë Terezës në gusht të vitit 1989. Nënë Terezën e takoi gjatë vizitës së saj edhe vetë e veja e Enver Hoxhës, Nexhmija.150

Në çdo raport që kam hulumtuar nga dokumentet e ish Sigurimit të shtetit lidhur me veprimtarinë “armiqësore” kundër atdheut dhe popullit të klerit katolik, thuajse në çdo fund të raporteve, përsëritej shprehja: “nuk kanë hequr dorë nga lufta kundër pushtetit popullor dhe diktaturës së proletariatit”.

Ishte qesharake injoranca masive e komunistëve shqiptarë! Megjithë këto sulme fizike, psikologjike e propagandistike, përsëri ata nuk kuptonin një gjë shumë të thjeshtë. Katolicizmi është e vetmja Fe-Shtet në botë. Katolicizmi jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë nuk është thjesht një simbol, as një flamur, as një monedhë, as një person; është një sistem që jeton prej 20

shekujsh me një emblemë, Kryqin e Krishtit dhe me një autoritet në tokë të kësaj embleme, Papën e Romës. Komunistët shqiptarë kishin marrë “flamurin” e anti fesë dhe anti katolicizmit në veçanti pa kuptuar se po bënin thjesht një krim më shumë ndaj popullit dhe shoqërisë shqiptare. Si përfundim, është shumë kuptimplotë debati i at Zef Pllumit me vëllain e Ramiz Alisë në javën e fundit të lirisë së besimit fetar nё vitin 1967, kur ky i fundit përpiqet t’i “shpjegojë” mosekzistencën e Zotit:

“At Zef Pllumi: Tash po nisem nga ajo teza jote materialiste që thotë se truri përfton idetë duke qenë truri materie – idetë nuk mund të dalin jashtë materies apo formave të mundshme të saj reale’. Duke u bazuar mbi këtë teori materialiste që ti e mbron me kaq fanatizëm, unë të pyes; Zoti, që thu ti se u krijue nga truri i njeriut, a mund të jetë një krijesë e pabazuar në realitet? A mund të krijojë mendja e njeriut nji gja që nuk ekziston? Këto po ti pves duke u bazue në tezat e filozofisë sate.

Vëllai i Ramiz Alisë: I poshtër! I poshtër! Unë kam dëgjuar se Kleri Katolik është shumë i poshtër, por që t’arrijë deri këtu që të provojë ekzistencën e Zotit përmes doktrinës materialiste, këtë s’e kisha dëgjuar as menduar kurrë!.. Paskeni qenë me të vërtetë të poshtër”.151

Back to top button
LAJMET E FUNDIT