Megjithëse ka mik Ramën, dhunuesi i turistëve shkon në burg

Pronari i lokalit në Borsh të Himarës, i cili dhunoi turistët spanjollë ka dalë sot përpara trupit gjykues për tu njohur me masën e sigurisë. Tre ditë pas ngjarjes së rëndë, Mihal Kokëdhima gjatë seancës dukej i qetë dhe mohoi akuzat e ngritura ndaj tij.

Kokëdhima u arrestua pasi goditi me sende të forta furgonin e një grupi turistësh spanjollë që kishin shkuar për të drekuar në restorantin e tij në Porto Palermo

Pas pakënaqësisë së turistëve për shërbimin, Kokëdhima shpërtheu në dhunë ndaj tyre, por në seancën e sotme, ai ka deklaruar se nuk i ka prekur me dorë.

I shoqëruar nga avokatët, Kokëdhima u shpreh: “Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë nuk kam prekur njeri me dorë. Ku kanë faktet që i preka me dorë. Më rrëzuan në Qeparo, nga makina. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar por për t’u mbajtur.

Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin, dhe unë u hodha ne kroskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”.

Megjithatë gjykatësja Esmeralda Habilaj ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për tre akuzat, “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrim te pronës”.

Gjykata vendosi për Kokëdhimën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Pamjet filmike që u bënë virale në rrjetet sociale tregojnë se si 51-vjeçari u kap për 3 kilometra në kofanon e mjetit ku udhëtonte familja spanjolle dhe dy guidat e tyre. Ai dukej qartë duke u përpjekur të thyejë xhamin e automjetit duke krijuar një situatë paniku.

Kryeministri Rama reagoi pas ngjarjes dhe e quajti Kokëdhimën barbar që shkeli mbi kodin e mikpritjes. Por ky i fundit komentoi në seancë duke thënë “Unë e kam edhe mik” për kryeministrin Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT