Parkut në Stamboll i vendoset emri i heroit shqiptar Adem Jashari

Ka ngjallur shumë reagime publike vendosja e një memoriali dhe një emri rruge në Tiranë për viktimat e atij që njihet si “grushti i shtetit” i 15 korrikut në Turqi.
Megjithëse u tentua të kalohej në heshtje, mësohet se propozimi dhe vendimi është qeveritar, jo i pushtetit lokal.
I detyruar nga rrethanat, kryebashkiaku Erion Veliaj e ka komentuar sot këtë vendim me fjalë ku dallohet qartë dëshira e heshtur për distancë higjenike nga akti; dëshirë e pritshme kjo, e dikujt që ka shkëlqyer në kujdestarinë teknike të Tiranës, dhe të cilit politika veç ia dëmton këtë medalje publike të merituar.
Nga prononcimi ndihet gjithashtu që Veliaj do të donte që edhe publiku të mos e merrte politikisht një akt tē tillë; ftesë e nënkuptuar për të cilën duheshin gjetur fjalë më të përshtatshme, por gjithsesi e pamundur kur bëhet fjalë për një vend si Turqia me pika takimi të shumta në historinë e Shqipërisë.
“Nuk i prish punë askujt. Më thonë është në cepin e Liqenit, ku shumica prej atyre që ankohen as iu ka rënë në mendje kur ishte mbuluar me ferra dhe kur digjej plastikë dhe ku zaptohej si territor. Tek Liqeni dhe në të gjithë Tiranën ka vend për të gjithë” tha Veliaj.
Nuk ka folur si politikan dhe mirë bën. Shqipëria është shumë më tepër se Tirana; ashtu edhe kur themi Turqia nuk nënkuptojmë emra politikanësh dhe as përkohshmërinë që mbartë pushteti politik.
Jo vetëm pse ajo çka shumica e politikanëve bëjnë e duhet të bëjnë është detyrë e paguar; jo vetëm pse në veprat e tyre më së shumti nuk ka dhe nuk ka pse të ketë asgjë heroike, përkundrazi; por edhe pse kështu kuptojmë më mirë pse Turqia ka zona e shtatore ku nderohen shqiptarë si Adem Jashari apo Fan Noli.
Emri i Adem Jashari, i cili ra dëshmor bashkë me 56 shokë, bashkëshorten, fëmijët dhe të afërmit e familjes në luftën për pavarësinë e Kosovës, është përjetësuar që prej vitit 2015 në Stamboll.
Madje në ceremoninë e organizuar me këtë rast, drejtuesi i saj do të shprehej: “Kushdo që do të kalojë në këtë shesh do të lutet për shpirtin e Adem Jasharit dhe për të gjithë ata që dhanë jetën për liri”.
Në parkun Dëshmori Adem Jashari që Komuna Bajrampasha ka ndërtuar në lagjen Vatan, pranë rrugës Esenler dhe Forcave Speciale të policisë ndodhet edhe një kullë sahati e ngjashme me një kullë historike sahati në Ballkan 13 metra e lartë.
Parku shtrihet në një sipërfaqe 1.600m2 dhe krahas kullës së sahatit në park ka edhe rrugica për shëtitje dhe ambiente çlodhëse.
Ajo që i dallon burra si këta nga të tjerët është që sakrifica e tyre nuk futet dot në kornizat kohore të pushtetit apo pushtetarit të radhës; këto korniza cilido qoftë pushtetari, janë të ngushta për heronjtë.
Grushti i shtetit në Turqi ende nuk është sqaruar qartë për nga dinamikat dhe rrethanat. Këtë e di mirë edhe ai që ka marrë vendimin për memorialin te Liqeni, i cili bën mirë të mos fshihet më pas gishtit se është dhe burrë i gjatë.
Shtatorja e Adem Jasharit në Stamboll në parkun që mban emrin e tij, përkrah shtatores së themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürkut dhe poetit Aşik Veyse

