Risi në aeroportin e Tiranës, më në fundë një Duty-Free si në aeroportet e botës
Pasagjerët e aeroportit “Nënë Tereza” shumë shpejt do të kenë mundësi të presin fluturimet në zonën tranzit, me shërbimet e reja në standardin e aeroporteve më të mira ndërkombëtare.
Duke nisur nga muaji nëntor e gjithë hapësira e “Duty Free” do të kalojë në menaxhimin e kompanisë amerikane, International Cruise Duty Free ( ICDF), e cila ka lidhur kontratë me TIA aeroport për 5 vitet e ardhshme.
Eksperienca prej disa dekadash në industrinë “Duty Free” dhe lidhja e drejpërdrejtë e ICDF-së me shumë prej markave më të njohura në botë do të garantojë jo vetëm një shumëllojshmëri më të madhe produktesh, por edhe një cilësi më të lartë në shërbime, të njëjtë me standartet e zbatuara në aeroportet më të mëdha në botë.
E themeluar në Miami, Florida dhe me shërbime në SHBA, Amerikën Latine dhe Karaibe, ICDF ka siguruar kontratë ekskluziviteti me aeroportin e TIA-s për shitjen e brand-eve më të njohura ndërkombëtare të parfumeve, duhanit dhe pijeve alkolike në zonën tranzit të këtij aeroporti.
Si një kompani që ka dëshmuar një sukses global, prania e saj në të vetmin aeroport shqiptar dhe vizioni i ri i ICDF-së në menaxhim do të ketë një ndikim pozitiv në përshtypjen për vendin tonë të qindra-mijëra turistëve që vizitojnë çdo vit Shqipërinë.