Shkarkohet imami shqiptar, mbrojti teorinë e evolucionit

Imami Drilon Gashi thotë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) e ka përjashtuar nga puna si imam i xhamisë në Vitomiricë të Pejës, ku ka punuar dy vjet, me arsyetimin se ai ka shkelur parimet e Kuranit.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Gashi ka thënë se ai është shkarkuar para një muaji, mirëpo vendimin e ka marrë ditën e enjte.
Sipas tij, shkak për këtë shkarkim është bërë një deklaratë e tij në televizionin “Rrokum”, në muajin qershor të vitit 2018, ku kishte mbrojtur teorinë e evolucionit.
Ai kishte thënë se “teoria e evolucionit është teoria e vetme bashkëkohore që ka arritur t’iu bëjë ballë furtunave të kohës. Do të thotë argumentet po shkojnë deri tek ajo që evolucioni është fakt”.
“Arsyetimi i tyre çuditërisht thotë se përmes deklaratave të mia, paskam shkelur Kuranin dhe traditën profetike!
Ndërsa unë deklaroj që çdo herë jam munduar ta pasoj vetëm argumentin e të vërtetën dhe t’i qëndroj besnik rrugës së drejtë dhe Kuranit”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se në BIK mungon mendimi racional dhe nuk lejohet as mendimi kritik e as dialogu dhe se BIK “po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme”.
“Nuk jam i zhgënjyer pse ma mbyllën derën e Xhamisë, më hodhën në rrugë dhe mbeta i papunë, por më dhemb zemra për këtë sistem të instaluar brenda institucionit më të madh fetar në vend, i cili në këtë mënyrë, katërcipërisht po bie nën ndikimin e ideologjive dhe doktrinave fetare politike të jashtme”, ka thënë imami Gashi.