‘Shqipëria, shtëpia ime’, tre artistë rikthehen për shfaqje në atdhe

Si rrallëherë artistët që krijimtarinë e tyre e kanë ngjitur në skenat ndërkombëtare, bëhen bashkë për një perfomancë artistike mbrëmjen e 8 gushtit në Parkun Arkeologjik Kombëtar të Orikut. Arti muzikor i kompozitorit Aulon Naçi, teksti i aktorit Aleksandros Memetaj dhe lëvizjet koreografike të Errik Nour takohen së bashku në “shtëpinë” e tyre. Muzika bashkëkohore e kompozitorit do të shoqërojë me një ansambël monodramën e interpretuar nga Aleksandros Memetaj, që vjen nëpërmjet fjalëve dhe lëvizjeve të trupit. “Shqipëria, shtëpia ime” nga Aleksandros Memetaj ka në qendër historinë e nënave shqiptare, të cilat presin në buzë të detit apo edhe në prag të shtëpive fëmijët e tyre.

Monolog ky që, sipas aktorit, është frymëzuar nga pozitë edhe këngët popullore të Jugut, por edhe nga letërsia e shkrimtarëve shqiptarë. Aleksandros Memetaj ishte vetëm gjashtë muajsh, kur Vasili, i ati e mbante mbi shpatulla para se shkelte në tokën italian, edhe këtë panoramë ai e kujton fare mirë nëpërmjet artit të tij. Artistët që rikthehen në tokën amë, i bashkon jo vetëm një dritare, pas së cilës fshihen tregimet e jetës, por edhe kujtimet e mbrojtura nga muret e akullt. Shfaqja e shkruar dhe interpretuar nga Aleksandros Memetaj, “Albania casa mia” (Shqipëria, vendi im), deri më tani numëron qindra spektatorë në Itali, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Iniciativa e artistëve vjen, si një dëshirë e mirë, që arti të dëgjohet, por edhe për të shijuar një mbrëmje ndryshe.

Protagonistët

Aleksandros Memetaj – teksti dhe interpretimi

Errik Nour – koreografia dhe interpretimi

Ardita Bufaj – piano

Elton Balla – fizarmonikë

Solen Alla – bariton

Mirjan Sulovari – perkusion

Dejon Bendaj – violinë I

Vilson Guri – violinë II

Albana Kola – violë

Enea Nushi – violonçela

Skenografia – Realda Malo

Regjia – Neritan Mehmetaj

Muzika dhe drejtimi artistik: Aulon Naçi

Back to top button
LAJMET E FUNDIT