SKANDALOZE/ U vendos 9 muaj më parë, dhunohet busti i Mit’hat Frashërit (FOTO)

Ngjarja ka ndodhur ditët e fundit dhe shumë të paktë janë ata që e kanë marrë vesh se është dhunuar varri i Mit’hat Frashërit.
Kjo për arsyen e thjeshtë se vizitorët nga kodrat e liqenit në kryeqytet janë rralluar së tepërmi në këto ditë të nxehta gushti.
Dhe nga këta tek-tuk ndonjë mund të hedh sytë nga memorialet, qofshin edhe ato të vëllezërve Frashëri, apo nga Mit’hati aty pak më larg tyre.
Këto fotografi janë bërë sot pasdite, më 11 gusht.
Sikurse duket nga fotografitë, janë hequr pllakat e mermerit nga pjesa ballore e piedestalit që mban kokën e Mit’hatit, si dhe një pllakë e madhe në anën e majtë të tij.
Rreth bustit tani janë vendosur shirita të verdhë plastmasi, ndërsa aty ku duhej të ishte emri i Mit’hatit, është vënë një tabelë e verdhe ku lexohet: “KUJDES! KËTU PUNOHET”.
U interesuam në zyrat e Bashkisë së Tiranës, por ata nuk kishin dijeni se kush ishte duke punuar tek varri-memorial i Mit’hat Frashërit.
Duke parë që janë marrë pllakat e mermerit, ajo që të vjen më së pari në mendje është se ky dhunim është vepër hajdutësh.
Por të vjen habi pse pikërisht aty.
Ky është varri më i ri i ndërtuar aty, rreth 8-9 muaj më parë, ndërsa varret e Vëllezërve Frashëri qëndrojnë aty prej dekadash të paprekur. Madje shpesh të mbuluar me tufa dhe kurora me lule.
Edhe Faik Konica që ndodhet aty prej 25 vjetësh qëndron i paprekur.
Në 14 nëntor të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama, me një ceremoni shtetërore solli eshtrat e krye-kolaboracionistit shqiptar të L2B dhe i rivarrosi me nderime pranë vëllezërve Frashëri, me ç’rast u tha fitimtarëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që të ulnin kokat.
Xh. Shehu / Dita. Fotot: Xh. Shehu

