Skenari negativ për Shqipërinë, do mbetemi 500 mijë banorë!

Në fund të këtij shekulli, Shqipëria ka të ngjarë të tkurret aq shumë sa parashikohet të ketë po aq banorë sa një lagje normale e Parisit, Londrës apo Madridit. Të dhënat e fundit nga Zyra Europiane e Statistikave tregojnë se gjatë vitit 2018 plot 62 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria për të jetuar në vendet e Bashkimit Europian. Por sikur të mos mjaftonte kjo, një raporti tronditës i “Pew Research Center” parashikon se vendi ynë do të ketë tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë deri në fund të shekullit.

Sipas studimit të realizuar nga OKB-ja, në fund të këtij shekulli, në rastin më të mirë popullsia e Shqipërisë do të rrudhet në vetëm 1 milion banorë, me një rënie prej 62 për qind krahasuar me shifrën aktuale. Kjo sipas të dhënave është rënia më e madhe në botë, e cila e projekton Shqipërinë të jetë sa një lagje e Parisit apo Londrës.

Megjithatë ky është skenari më pozitiv, pasi paralelisht OKB-ja ka llogaritur projeksionet edhe sipas një skenari më negativ, i cili bazohet në një rënie më të shpejtë të lindshmërisë.

Ky variant parashikon rrudhjen e popullsisë së Shqipërisë pas 70 vjetësh në vetëm 500 mijë banorë, pra më pak banorë nga sa ka aktualisht Tirana.

Shifrat e publikuara së fundmi nga Zyra Europiane e Statistikave janë duke ngritur jo pak shqetësime në mesin e ekspertëve. Shumica e shqiptarëve që janë larguar nga atdheu janë transferuar në Itali, ku kanë lëvizur 23.000 persona, Greqi ku kanë lëvizur 17.000 dhe Gjermani, ku kanë shkuar 10,000 shqiptarë. Shqiptarët duket se kanë lënë po ashtu atdheun për të jetuar në vende si Franca, Holanda, Belgjika, Sllovenia dhe Kroacia.

Ikja e qytetarëve, sidomos e të rinjve të arsimuar duket të jetë në fakt një plagë sociale për mbarë rajonin, sepse të dhënat e zyrës së BE-së tregojnë se vitin e kaluar, 228.000 qytetarë të Ballkanit Perëndimor u transferuan në vendet e Bashkimit Evropian. Por vendi ynë duket se kryeson për numrin e qytetarëve të larguar, e ndjekur nga Bosnja dhe Serbia.

Për një vend me një popullsi prej rreth 2.8 milionësh, largimi i 62.000 njerëzve është i barabartë me rreth 2.2% të popullsisë së përgjithshme.

Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të lindshmërisë prej vetëm 1.49 fëmijë për grua dhe emigrimi masiv ka ndikuar në demografinë e vendit pas rënies së komunizmit në vitin 1990. Që nga viti 2011, popullsia është reduktuar neto me 141 mijë persona, vetëm si rrjedhojë e emigracionit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT