“Të mos hiqet në asnjë mënyrë ‘Qemal Stafa”, veteranët kundër Federatës për emrin e stadiumit

Debati për emrin e stadiumit ka kaluar përtej fushës sportive. Sepse, nga njëra anë është Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka nxjerrë në shitje emrin dhe nga ana tjetër është edhe Organizata e Veteranëve të Luftës. Për shumë dekada, arena më madhe e futbollit shqiptar mbante emrin e Qemal Stafës, një prej dëshmorëve të luftës.

Por, Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se me përfundimin e ndërtimit të impiantit të ri modern, stadiumi nuk do të quhet më Qemal Stafa. Odise Porodini, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteraneve të Luftës thotë se nuk do të lejojnë që të zëvendësohet emri i Qemal Stafës dhe nëse kjo ndodh veteranët do të reagojnë.

Për sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së të Burgosurve dhe të përndjekurve politikë, emri i Qemal Stafës nuk shkakton asnjë ndjesi. Ai sugjeron që ky impiant të mbajë emrin e një personaliteti që ka dhënë kontributin e tij në sport.

Aktualisht impianti i ri është pagëzuar me emrin Arena Kombëtare, por për arsye marketingu dhe financiare FSHF ka nxjerrë në shitje emrin e stadiumit të ri. (bw)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT