Tri ditë pas shembjes së HEC-it në Holtë, banorët denoncojnë ndërtimin e një tjetri

Tri ditë më parë, autoritetet e IKMT prishën digën e ndërtuar për hidrocentralin e Holtës, por rreth 1 kilometër më tej po ndërtohet një HEC i dytë, “STRORI”.
Kanë qenë banorët e zonës që denoncojnë ndërtimin që po kryhet në rrjedhën e lumit.
Sipas tyre firma private “Era Hydro” ka bërë punime në hyrje të kanionit, ka gërryer shtratin e lumit, ka marrë zhavorr, madje ka bërë edhe një mur ngjitur me hyrjen e kanionit, duke e bërë të vështirë hyrjen në Monumentin e Natyrës.
Tubacionet dy metër të gjerë dhe dy metër të lartë, ku do të kalojë uji i lumit janë vendosur në dalje të kanionit. Për banorët e zonës grumbullimi i të gjithë ujit në tubacione do të jetë një “masakër mjedisore”, pasi uji përdoret prej tyre për tokat bujqësore dhe nëse një gjë e tillë ndodh ato të thahen.
“Na u premtua se nuk do të ndërtohet HEC-i, por nuk shohim një gjë të tillë. Projekti po vazhdon. Kjo zonë e gjitha do të thahet nëse futet uji në tuba”, – shprehen banorët.
Të pyetur në lidhje me ndërtimin e një HEC-i të dytë, autoritetet vendore nuk pranojnë të japin një përgjigje zyrtare.