Ushtria e Kosovës përballet me betejë të vështirë, paralajmërojnë ekspertët

Paratë, multi-etniciteti dhe mbështetja ndërkombëtare janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballet Kosova ndërkohë është përcaktuar në rrugën e gjatë për themelimin e një ushtrie plotësisht funksionale.
E votuar nga parlamenti i Kosovës në dhjetor të vitit 2018, Ushtrisë së Kosovës – Forcës së Sigurisë së Kosovës, ose FSK – do ti duhet një dekadë për të arritur kapacitetet e saja të nevojshme, thonë ekspertët, andaj edhe progresi në këtë drejtim nuk do të jetë i lehtë.
Përderisa FSK mund të ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, NATO – e cila kishte qenë fuqia e vetme ushtarake e pranishme në Kosovë që nga viti 1999 – ende po rri varur në peshore se si të angazhohet tash e tutje, pasi fillimisht i rezistoi këtij vendimi.
Kjo kërkon para, të cilat nuk janë me bollëk në Kosovë, dhe në secilin hap para në rrugën e saj do të përballet me kundërshtimin nga Serbia, e cila ka të ngjarë të pengojë përpjekjet për të rekrutuar ushtarë nga pakica etnike serbe e Kosovës.
Mentor Vrajolli, drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se ndryshimi i mandatit të FSK-së nga një forcë joushtarake në një forcë ushtarake sjell me vete “një epokë të re dhe shumë më sfiduese”.
Ndër sfidat, ai renditi buxhetin, ndërhyrjet politike në rekrutim, vështirësinë e mirëmbajtjes së një strukture multi-etnike, integrimin në strukturat rajonale dhe shumëkombëshe, pjesëmarrjen në misione jashtë vendit dhe bashkëpunimin dypalësh.
“Transformimi i FSK-së në një forcë ushtarake është një proces i kushtueshëm, ndërsa zhvillimi ekonomik i Kosovës është akoma jo i kwnaqshwm”, tha Vrajolli për BIRN.
Me aeroport por pa aeroplanë
Votimi në dhjetorin e viti 2018 e transformoi FSK-në nga një forcë e armatosur lehtë me 3.000 pjesëtarë emergjentë në një ushtri profesionale, duke themeluar edhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Plani është që ushtria të shtojë kapacitetet e saj gjatë dekadës së ardhshme në 5,000 trupa aktivë dhe 3,000 trupa rezervë.
Qeveria e Kosovës, në mungesë të shefit të qeverisë që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik, së fundmi miratoi një Strategji të Sigurisë Kombëtare dhe në muajin prill, FSK-së iu dha në përdorim aeroporti i Gjakovës, pavarësisht se nuk ka ende asnjë aeroplan.
Ibrahim Shala, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, tha se plani i tranzicionit afatgjatë parashikon zhvillimin e kapaciteteve ajrore dhe se aeroporti do të ishte “një pasuri me shumë rëndësi”.
Shala tha se buxheti i ministrisë për vitin 2019 ishte 58.6 milion euro, të cilat ai i përshkroi si të mjaftueshme për investime kapitale dhe blerje të pajisjeve. Megjithatë, ky buxhet është më i vogël se sa planet 78 milionëshe të Kosovës që do të shpenzohen për ndërtimin e autostradave të reja.
“Buxheti afatgjatë (i FSK-së) është planifikuar mirë dhe ka mbështetje nga Qeveria e Kosovës,” tha Shala për BIRN.
Frikësimi i komuniteteve pakicë
Kundërshtimi nga Serbi, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet sovran, do t’i bëjë më të ndërlikuara përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve me etni serbe.
Më herët, BIRN ka raportuar për largimin nga FSK-ja të dhjetëra pjesëtarëve serbë nën presionin e Beogradit.
Në shkurt të vitit 2018, disa prej tyre në komunën veriore të Zubin Potokut morën letra përmes të cilave ata paralajmëroheshin, “Do t’ju takojmë së shpejti – as komuna e as policia nuk do të jenë në gjendje t’ju mbrojnë.” Në të njëjtin vit, është gjetur një bombë në kopshtin të një pjesëtari boshnjak të FSK-së.
Refuzimi i deputetëve serbë të parlamentit të Kosovës për të mbështetur mocionin për themelimin e ushtrisë përmes ndryshimeve në Kushtetutë kontriboi që NATO të hezitojë për t’i dhënë mbështetje këtij veprimi, por të cilin veprim, qeveria e Kosovës e realizoi gjithsesi.
Elton Tota, ekspert në Kompaninë kosovare për Shërbime Ligjore, një konsulencë me fokus në sundimin e ligjit, tha se Qeveria “duhet të përqëndrohet në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të NATO-s”, përfshirë shpenzimin e më shumë se dy përqind të prodhimit kombëtar për ushtrinë.
“Është e rëndësishme të shihet se çfarë niveli të bashkëpunimit do t’i ofrojë NATO-ja Kosovës,” i tha ai BIRN.
Vrajolli tha se NATO-ja ka të ngjarë të jetë hezituese në aspektin e integrimit të Kosovës ose të ngritjes së saj në Programin e Partneritetit për Paqe të Nato-s, një urëkaluese për tek anëtarësimi.
Ai po ashtu vuri theksin tek sfida se disa shtete, përfshirë pesë shtetet të Bashkimit Evropian, akoma nuk e njohin Kosovën si shtet dhe mund të përdorin veton për të pamundësuar integrimin e ushtrisë së re në arenën ndërkombëtare.
Përveç aleatëve të saj tradicional si SHBA-ja., Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Kroacia, Shqipëria, Turqia, etj., ushtria e Kosovës, duhet të intensifikojë marrëdhëniet e saj bilaterale me vendet e tjera.” tha Vrajolli për BIRN.

