10 mln euro interesa fiktive? Dokumenti i KLSH mbi koncensionet

Dy ditë para votimit në Kuvend, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë dhe parlamentit që të tërhiqen nga miratimi i koncesioneve për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat.
Top Channel publikon një shkresë konfidenciale, që KLSH i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, zv. kryeministrit Erjon Brace, kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi dhe ministres së infrastrukturës Belinda Balluku, ku i kërkon të rishikimin e dy kontratave, pasi sipas KLSH kanë shkelje serioze ligjore dhe pasaktësi të mëdha financiare.
Pasaktësitë e mëdha të konstatuara në këto kontrata i bëjnë modelet e tyre financiare jo të besueshme dhe të paqëndrueshme në aspektin e vërtesisë së anës financiare.
Në dokument, KLSH liston një sërë parregullsish, ku më flagrantja është ajo se buxheti i shtetit do i paguajë dy kompanive koncesionare gati 10 milionë euro interesa fiktive, për hua që nuk ekzistojnë.
Vetëm për kontratën e Milot-Balldren, rezultojnë pagesa tepër, të pajustifikuara sipas kontratës dhe të panevojshme, 6.1 milionë euro që përbëjnë pasoja negative financiare për buxhetin e shtetit.
Sipas KLSH, interesa fiktive do të paguhen edhe për rrugën tjetër Orikum-Dukat, ku ka llogaritje gabim të interesave, por edhe marrje të panevojshme kredie.
Për Orikum-Dukat do të paguhen 3.6 milionë euro interesa të panevojshme, që përbëjnë pasoja negative për buxhetin e shtetit.
Pra në total për të dy rrugët, sipas KLSH-së qeveria do të paguajë gati 10 milionë euro interesa fiktive.
Por organi suprem i auditimit thotë se përtej pagesave shtesë të interesave, dy rrugët kanë rreziqe të mëdha për financat e shtetit, që burojnë nga kursi i këmbimit dhe mekanizmat e tyre të financimit.
