Edita Tahiri: “Shengeni ballkanik” gabim strategjik me pasoja për të gjithë
Ish zëvendës kryeministrja e Kosovës dhe ish kryenegociatorja në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri është shprehur kundër idesë së një shengeni ballkanik.
Tahiri tha se kjo është një tendencë neojugosllave, e cila do të dëmtonte Ballkanin dhe Europën.
Zonja Tahiri theksoi se Ballkani nuk është i interesuar dhe nuk duhet të jetë i interesuar të bashkohet, të hapë kufijtë brenda rajonit, por drejt BE-së.
Sipas saj shengeni ballkanik nuk është një nismë e re, por një ide kahershme dhe një tendencë neo-jugosllave.
Tahiri tha: “Eshtë një tendence neojugosllave, e tillë dhe nuk duhet të nxitohemi për këtë. As Shqipëria nuk duhet të nxitohet sado dëgjova që kanë bërë hapa.
Sipas Tahirit, “me këtë çështje BE qetëson ndërgjegjen e vet që e ka lënë prapa Ballkanin Perëndimor dhe nuk ka qenë në gjendje të shtyjë Ballkanin Perëndimor drejt BE-se. Do të jetë një gabim strategjik që do të kemi pasojë të gjithë, edhe Ballkani edhe Evropa.
Të martën Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u takua me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, më të cilët bisedoi për tërheqjen e një sërë pengesash për bizneset dhe diskutuan për lëvizjen e lira të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve në Ballkan./ Ora