Gushti turistik; më shumë turistë të huaj në vend e më shumë shqiptarë jashtë
Ashtu edhe si pritej, gushti ka qenë muaji më i mirë për turizmin në vend gjatë vitit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin gusht, janë 2.256.761. Po sipas këtyre të dhënave, ky tregues është rritur më 6,4 % në krahasim me gushtin e vitit 2018.
Gjatë gushtit të vitit 2019, në Shqipëri kanë hyrë 1.556.826 shtetas të huaj. Krahasuar me gushtin e vitit 2018, ky numër është rritur me 7,4 %.
Po sipas të dhënave të publikuar nga Instat, numri total i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri gjatë tetë mujorit të parë të vitit 2019 është 4.870.588. Kjo shifër është rritur me 10,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Por përtej këtyre zhvilllimeve pozitive, në të dhënat zyrtare të INSTAT vihen re edhe zhvillime më pak të kënaqshme. Sipas INSTAT në gusht 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Maqedonia e Veriut ka pasur rritjen më të madhe me 19,2 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 19,6 %. Përgjatë tetë muajve të 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 16,9 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 13,3 %.
Shtetasit nga Kosova kanë pasur rritje edhe këtë vit duke qenë turistët kryesorë që kanë vizituar vendin tonë. Në gusht hyrjet ishin 781 mijë me një rritje 16.5% në raport me gusht 2018 ndërkohë që si 8 mujor rritja ishte 14.9%.
Nga ana tjetër, sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit gusht 2019, janë 726.068, krahasuar me gusht 2018, ky numër është rritur 5,4 %.
Po ashtu, numri i shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga territori i vendit tonë përgjatë tetë muajve të vitit 2019 është 3.898.681 duke u rritur 9,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ monitor