“Jemi në një situatë të tensionuar, njerëzit po largohen nga Shqipëria”

Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare është mbledhur me rastin e 5-vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri. Ipeshkvijtë kanë dalë në një deklaratë ku kërkojnë të kapërcehet situata e tensionuar politike, pasi ka çuar në braktisjen e vendit.
“Konstatojmë se në këto vite shumë “shqiponja” e kanë lënë folenë e tyre. Kemi parë të ikin familje, të rinj e të reja. Përveç lirisë që secili gëzon të lëvizë ku mendon se është më mirë për të dhe familjen e tij, nuk mund të mos konstatojmë me keqardhje se situata e vazhdueshme e tensionuar shoqërore, mungesa e një zhvillimi ekonomik integral dhe gjithëpërfshirës, mungesa e vendeve të punës ose ekzistenca e vendeve të punës të nënpaguara e jo të paguara mjaftueshëm, niveli i ulët shkollor si dhe ofrimi i vakët i asistencës mjekësore, kanë qenë dhe janë shkaqet e largimit të shumë njerëzve.
Të gjithë kemi përgjegjësi për vendin tonë e prandaj ne besojmë se ekzistojnë mundësitë e një bashkëpunimi dhe dialogu për të çuar vendin përpara e për t’i dhënë fund tranzicionit.
Zbrazja e “folesë” së përbashkët mbetet një plagë e hapur që na rëndon të gjithëve”- thuhet ndër të tjera në deklaratë. Mesa duket këto fjalë kanë prekur shumë njerëz të cilët e gjejnë veten ose duke menduar të largohen, ose janë larguar, pasi shpërndarja e saj ka qenë e lartë. A duhet të mbaj dikush përgjegjësi për këtë situatë dhe mungesë shprese?! e.r/dita

Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare