KOMBËTARËT TONA TË FUTBOLLIT JANË SI SHQIPJA JONË, ME DY KRENA, POR ME NJË TRUP! KUR PËRKRAHIM DJEMTË TANË NUK JEMI TË HUMBUR NË ASNJË RRETHANË!

Sikur të ishim aq shumë kërkues dhe me aq hatërmbetje ndaj liderëve dhe partive politike sa jemi ndaj sportistëve tanë me siguri që Kosova do ishte një kopshtë me lule por ja që shpesh nuk u falim as më të voglin ligështim të parëve dhe jemi marrëzisht të mirëkuptueshëm ndaj politikanëve. Paraqitja e lavdishme e djemve tanë përballë përfaqësuesës Kombëtare Angleze me shënim qysh në minutin e parë dhe shënimin e tre golave ekipit profesional ndër të parët që njeh njerëzimi dhe ndër më të fortët në botë në fushën e tij na bën të gjithëve krenar dhe i dha një jehonë të papritur edhe çështjës së Kosovës në veçanti dhe çështjës shqiptare në përgjithësi.
DARDANËT janë shembull i bashkëpunimit, solidaritetit, vetmohimit të gjithsecilit për grupin të gërshetuar me suksesin në një kohë kur këto vlera janë zbehur në shoqërinë tonë.
DARDANËT janë shembull i meritokracisë, përkushtimit dhe punës në një shoqëri që ka nevojë më shumë se kurrë për shembuj të bashkëpunimit dhe solidaritetit të sukseshëm.
Në anën tjetër është për keqardhje mosdurimi ynë për të shpërfaqë zhgënjimin ku brenda atij 45 minutëshit nga heronjë djemtë tanë u bënë objekt tallje në rrjetet sociale.
Ajo që ndodhi dje ishte e paparashikueshme në botën e statiskave dhe racionalitetit mbase vetëm zemra e madhe, guximi, gjakftohtësia, pjekuria dhe talenti i djemve e bëri të pamundurën të mundur. Prandaj të respektojmë dhe të përkrahim të shkëlqyeshmit tanë dhe t’i vlerësojmë pavarësisht fazave të vështira apo gabimeve që kalojnë në momente të caktuar.
Imazhet e Kosovës duke shënuar në minutin e parë ndaj të lartmadhërishmës Kombëtare të Anglisë me lojtar nga pesë kontinente të Commonwealthit dhe duke e mbajtur në presion deri në minutin e fundit të lojës pa u dorëzuar asnjëherë, të cilat do bëjnë gjiron e televizionëve botërore gjatë tërë javës, bëjnë më shumë për vendosjën e Kosovës në hartë dhe ngulitjen e saj në mendjën e njerëzimit se shumë shpenzime milionëshe që janë keqpërdorur gjoja për të përmirësuar imazhin e Kosovës nga qeveritarët tanë.
Ashtu siç ishim me Kombëtarën gjatë Evropianit të fundit në Francë ishim edhe dje krenar me dy Kombëtarët të djemve tanë: tek e fundit Shqipja jonë është me dy krena me rëndësi është se kemi një trup dhe askush nuk na detyron të distancohemi nga njëra kokë.
Nuk mungoj as polemika e pavend dhe e turpshme e një komentatori të vocër për ta zbehur atë ditë krenarie me deklarata negative të panevojshme dhe mbi të gjitha të dëmshme. Kosovën shtet secili shqiptar e sheh si urë lidhëse me pjesët tjera të Atdheut, ashtu siç secili shqiptar i sheh Dardanët si përfaqësues të denjtë, motiv krenarie kombëtare dhe urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve.
Anglezët janë në gjendje të pranojnë njerëz për të jetuar në vendin e tyre dhe për ti përfaqësuar nga 53 Shtete dhe 5 kontinente dhe ne nuk qenkemi në gjendje të bëjmë me vëllëzërit tanë të një gjaku që jetojnë ca qindra kilometra larg nesh? Ide e vjetëruar dhe shumë e ligë. Shqiptarët si Komb i vogël nuk kanë luksin ti fryejnë ndarjëve krahinore dhe sigurisht se shqiptarët nuk u fryejn.
Shqiptarët gjithmonë do jenë bashkë dhe të njësuar pavarësisht fanellave të ndryshme apo Shtetëve në të cilët jetojnë ashtu siç nuk ndahet Karadaku (Malësia e zezë e Shkupit) nga kufinjtë e imponuar nga historia jonë e dhimbshme: Gjilan, Viti e Kamenicë këndej, Preshevë, Kumanovë e Shkup andej kufinjëve. Kanë qenë me ne gjatë kohërave të vështira të luftës, kemi qenë edhe ne familjarisht me ta kur ata përballeshin me luftën. Morra shembullin e Karadakut por ky realitet vlen për çdo regjion shqiptar të Kosovës në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi. Ka ardhur koha që edhe Prishtina të marrë pjesën e barrës së saj ndaj vëllëzërve tanë përtej kufinjëve Shtetëror për ti frymëzuar, për ti pranuar, për ti edukuar, për ti përkrahur dhe këtë do ta bëjmë ne me LËVIZJËN VETËVENDOSJE! Është gëzim i madhë kur të dy përfaqësuesët e Shtetëve Shqiptare dalin me fitore mahnitëse ndaj dy skuadrave të nivelëve evropiane dhe botërore : njëra me fitore morale tjetra me fitore edhe në rezultat.
Prandaj le të jemi të gjërë, le të marrim shembull, le të marrim vlerat më të mira nga djemtë e vajzat tonë pavarësisht nga vijnë apo ku jetojnë ata dhe le të tregojmë durim, solidaritet dhe mbështetje për secilin që mundohet për të mirën e këtij vendi dhe kësaj shoqërie, për të arritur shkëlqyeshmërinë dhe dhënë shembull zemërgjerësie dhe guximi këtij populli e kësaj rinie.
Suksese djemve tanë të dy ekipëve tona në kualifikimin për Euro 2020, vazhdoni të na jepni shembull njerëzie, vazhdoni të na bëni të besojmë në virtytet më të mira njerëzore.
MENTOR HYSENI
KANDIDATË PËR DEPUTET NGA LËVIZJA VETËVENDOSJE! N°40