Marku kërkon “vlerësim të menjëhershëm ligjor” për përhapjen e fake news

Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku ka kërkuar nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë “vlerësimin e menjëhershëm ligjor” në lidhje me rastin e panikut të hapur mbrëmë nga një fake news.
Në njoftimin e bërë publik nga prokuroria e përgjithshme shtohet se Marku gjithashtu ka kërkuar informacion lidhur me mënyrën e trajtimit të rastit.
Në njoftim thuhet:
“Në mbështetje të neneve 38 dhe 50/1 të Ligjit nr.97/2016 ”Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, Prokurorja e Përgjithshme znj. Arta Marku kërkoi informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit”.
Policia njoftoi mbrëmjen e së dielës se pas “publikimit të një lajmi të rremë në një portal” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se “sipas parashikimeve të një sizmologu grek, në orën 23:30 do të ketë një tërmet të fuqishëm” ka shoqëruar dy gazetarë.
Policia gjithashtu njoftoi se ka ngritur “një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijoi frikë e panik tek qytetarët”.
Lajmi për një tërmet të fuqishëm u përhap me shpejtësi, pas orës 22.00 të mbrëmjes, menjëherë pasi ishte rregjistruar një goditje me magnitudë 4.4 gradë të shkallës Richter, 20 kilometra në veriperëndim të Tiranës.
Lajmi i rreme shkaktoi panik te qytetarët.