Mbyllet votimi në Bundestag, gjermanët “PRO” hapjes së negociatave për Shqipërinë
Pas 45 minutash diskutime parlamenti Gjerman votoi rezolutën për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Plot 350 deputetë votuan pro çeljes së negociatave, 188 kundër e 16 abstenuan.
Grupimi më i madh politik gjerman, CDU- SCU dhe SPD në datë 24 shtator i thanë ‘PO’ hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për Maqedoninë e Veriut rekomandohet hapja e pakushtëzuar e negociatave ndërsa për Shqipërinë me 9 kushte.
Në fazën e parë është vënia në punë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe Reforma Zgjedhore, në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Për të vijuar me 7 kushte të tjera në fazën e dytë.
Theksi vihet tek ligjshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit, marrja një vendimi nga Gjykata Kushtetuese dhe tek procedimi penal për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kaluan procesin e Vettingut.
Urimi i parë për Shqipërinë ka ardhur nga ambasadori i BE-së në vend, Luigi Soreca i cili shrephet entuziast për këtë vendim duke e shoqëruar reagimin e tij edhe me atë të Johannes Hahn. “Shumë të lumtur dhe mirëpresim me kënaqësi vendimin e Bundestagut gjerman për votën pro çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” – shkruajnë zyrtarët evropianë në Twitter.