Ngritja e SPAK, kreu i KLP: Jemi pranë finalizimit

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi ka folur në lidhje me procesin e ngritjes së SPAK.
Gjatë një interviste televizive, Ibrahimi është shprehur se ngritja e SPAK është në proceset e fundit, ndërsa tregoi se tashmë në garë janë 15 kandidatë.
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë theksoi se në ditët në vijim do të diskutohet nëse SPAK mund të ngrihet me një numër minimal anëtarësh.
“Ne sot nisim sezonin e ri të punës të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Padyshim që në fillim të këtij sezoni shpresojmë të finalizojmë procesin afatgjatë të ndërtimit të Prokurorisë së Posaçme. Ne në këtë moment, nga ai grup prej 15 prokurorësh që kemi përzgjedhur si kandidatë për në SPAK presim verifikimin e kushtit të fundit që është kalimi prej tyre i procesit të vettingut.
5 prej tyre e kanë kaluar plotësisht dhe mund të emërohen çdo çast nga ana jonë, sidoqoftë ne presim një numër të arsyeshëm. Se cili është ky numër i arsyeshëm, do të jetë vendim i Këshillit”, deklaroi Ibrahimi.