Njohja e pensioneve me Kanadanë, ministrja: 70 mijë shqiptarë do të përfitojnë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi sot në parlament projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë”.
Në fjalën e saj, ministrja Denaj tha se marrëveshja është arritur pas negociatave disa vjeçare mes dy vendeve dhe ratifikimi i saj nga Parlamenti do të krijojë mundësinë e përfitimit të pensioneve për rreth 70 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada.
Në bazë të marrëveshjes, theksoi ministrja, asnjë qytetar shqiptar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.
“Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë”, tha ajo.
“Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë”, shtoi ministrja.
Çfarë përfitojnë qytetarët shqiptarë nga ratifikimi i marrëveshjes?
Ratifikimi i kësaj marrëveshje është ndihmë për të gjithë qytetarët Shqiptarë që kanë vite që kontribuojnë në shtetin Kanadez por edhe kanë vite punë në Shqipëri.
Në këtë marrëveshje secili vend do të zbatoje legjislacionin e zbatueshëm të vendit të tij në fushën e mbrojtjes shoqërorë dhe përkatësisht në Kanada, sipas aktit të sigurimit për të moshuarit dhe rregulloret e tij si edhe planit kanadez të pensioneve dhe rregulloret e tij.
Ndërsa me Shqipërinë, sipas ligjit të Sigurimit Shoqëror të Detyrueshëm, rregulloret dhe rregullat në lidhje me përfitimet e pleqërisë, invaliditetit dhe atyre familjare. Kjo marrëveshje është një nga më bashkëkohore e arritura deri tani, duke përfshirë të gjithë elementët e nevojshëm dhe kryesorët për të cilët komunitetet janë më të interesuar në këtë fushë, si për shembull: një nga parimet bazë të kësaj marrëveshje është që secila palë siguron trajtim të barabartë për çdo person i cili është apo ka qenë subjekt i legjislacionit të palës tjetër dhe çdo person të cilit mund t’i rrjedhin përfitime nga personi i parë, është subjekt i detyrimeve dhe ka të drejtën për çdo përfitim të dhënë nga legjislacioni i palës së parë, në të njëjtat kushte si shtetasi i palës së parë.
Pra, kemi të bëjmë edhe me shtetasit shqiptarë që jetojnë në Kanada apo shqiptaro-kanadez që kontribuojnë prej vitesh në Kanada por sigurojnë disa përparësi edhe për disa persona të lidhur drejtpërdrejt me ta.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u krye në maj të këtij viti nga ministrja kanadeze e Punëve të Jashtme Chrystia Freeland me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Ottawa Ermal Muça