Përçarje serioze brenda forcave serbe para zgjedhjeve në Kosovë

Serbët e Kosovës po përgatiten për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por ashtu si në krahun politik shqiptar, edhe tek serbët ka lëvizje të paparashikueshme. Beogradi ka mbështetur Listën Serbe.

Zgjedhjet e tetorit mund të sjellin ndryshime tektonike në skenën politike në Kosovë, jo vetëm sa i takon subjekteve shqiptare por edhe serbe. Tri parti politike kanë krijur një koalicion, i cili mund të cënojë dominimin e listës serbe, e cila e ka mbështetjen e plotë të Beogradit. Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç , madje, i quan këto parti “përfaqësuese shqiptare të serbëve”. Partia e Vuçiçit mendon se “përfaqësusi monolit” i serbëve në Kosovë është Lista Serbe.

Partia SNS e Vuçiç pohon se të tjerët, si Partia e Pavarur Liberale, Partia e Serbëve të Kosovës dhe koalicioni i Partive Progresive Demokratike, Partia e Re në Kosovë dhe dy iniciativa qytetare të kandidatëve të pavarur me emrin “Sloboda” (Liria) nuk duan të punojnë për unitetin e korpusit nacional serb dhe në bashkëpunim me Beogradin zyrtar.

Vlerësimet e Beogradit për listën serbe janë shoqëruar gjithmonë para zgjedhjeve me kritika të ashpra ndaj kandidatëve dhe partive të tjera, deri tek frikësimi dhe presionet e mëdha ndaj zgjedhësve. Gjërat kanë arritur kulmin me vrasjen e dy kandidatëve për kryetar bashkie të Mitrovicës së Veriut: Dimitrije Janiçijeviç dhe Oliver Ivanoviç.

Në radhët e Listës Serbe është futur edhe partia e dikurshme e Ivanoviqit “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), që do të thotë se ky subjekt i është bashkuar atyre që Ivanoviçin e kanë targetuar si “tradhtar” dhe “njeri të shqiptarëve”. Ndërkohë që nënkryetari i Listës Serbe, Milan Raoiçiç kërkohet nga autoritetet e sigurisë, nën dyshimet për përzierje në vrasjen e Ivanoviçit.

“Mëkat i madh”, “turp” janë vetëm dy nga reagimet e shumta të serbëve të Kosovës, pas publikimit të lajmit se SDP e Ivanoviçit do t’i bashkohet tani Listës Serbe. Ndërsa presidenti Vuçiç dhe përfaqësuesi i Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriç thonë se liderja e tanishme e SDP Ksenija Bozhoviç, është një “grua serioze dhe inteligjente”, e cila është “përcaktuar për politikën shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës”.

Përçarjet

Por menjëherë pas lajmit për bashkimin me Listën Serbe, në SDP kanë filluar përçarjet. Dushan Milunoviç dhe Igor Rajçiç kanë akuzuar Ksenija Bozhoviçin për veprim të njëanshëm dhe kundër vullnetit të zgjedhësve të kësaj partie.

SDP ka probleme të mëdha edhe me hierarki, sepse as dy vite pas vrasjes së Ivanoviçit, nuk është zgjedhur kryesia e re e partisë. Ndaj besohet se do të ketë përçarje edhe më serioze mes përfaqësuesve të kësaj partie për trashëgiminë e Ivanoviçit.

Aktualisht nuk dihet se kush është përfaqësuesi zyrtar i partisë. Vuçiç thotë se shumica ka vendosur për bashkëpunim me Listën Serbe, ndërsa të tjerët pohojnë ndryshe. Aktualisht askush nuk është në gjendje të flasë me shifra të sakta se sa persona e kanë mbështetur bashkëpunimin e SDP me Listën Serbe.

Burimi: DW

Back to top button
LAJMET E FUNDIT