Përse nuk i duhen më Shqipërisë 140 deputetë?

Nga Ilmi Qazimi

Seç po flitet e përflitet nga palët e politikës sonë të tejndotur nga hipokrizia, për një reformë zgjedhore, për atë e për këtë… Flamurin për t’i futur në një vathë opozitarët e çatrafiluar dhe mazhorancën e tejngopur me pushtet, e për të nuhatur erën e gojës thuajse të njëjtë të njëri-tjetrit, e ka marrë Europa me të dërguarit e saj, të cilët flasin tre orë e s’thonë asgjë, apo flasin një minutë e thonë gjithçka. Mua, si dhe shumë qytetarëve shqiptarë që jetojnë këtu, më djeg së tepërmi një moment: përse Shqipëria të ketë kaq shumë deputetë?! Ndaj e them ashpër, se reforma zgjedhore duhet të nisë nga ky koncept, nga nevoja e një organi ligjvënës sa më produktiv, i vogël në numër e sa më i fuqishëm për nga niveli e brumi intelektual dhe kombëtar i atyre që do ta përbëjnë atë. Do të numëroja shtatë arsye ndonëse janë 140 të tilla, përse Shqipërisë sonë të vogël nuk ka ç’i duhet një parlament kaq i madh.

Elita e pasanikëve parlamentarë

Për gjatë 29 vjetëve klasa e pasur borgjeze shqiptare e qytetit u krijua dhe po lulëzon më së miri; është e kopsitur me borgjezinë e huaj dhe e njohur goxha nëpër qarqet afariste e të politikës ‘moderne’ kapitaliste të Europës, Amerikës madje edhe të Azisë, Afrikës e Australisë. Është fakt që si deputetë të ‘gozhduar’ në këtë kolltuk për këto njëzetë-tridhjetë vjet a janë a s’janë dhjetë-pesëmbëdhjetë vetë. Do ta filloja me të ‘mirënjohurit e respektuar’ Majko, Ruçi, Fino, Meta (ky gjeti një derë tjetër për të zgjatur vargun e përfitimeve duke ndërruar kolltukun), dhe së fundi, Berisha (këtë e dogji zëvendësuesi partiak se ai nuk largohej kurrë nga parlamenti!). Të tjerët: A. Angjeli, M.Ulqini, F. Mediu (dikur Mehdihoxha), D. Shehi, G. Pollo,V. Dule (ky një pasrendës i denjë i Shkëlqesisë së Tij Janullatos), T. Shehu, N. Ndoka, L. Rama, janë tashmë të njohur e “të pjekur” në karrigen e deputetit. Ndërsa emrat e tjerë, o janë zëvendësues, o janë rishtarë dhe jo më shumë se dy legjislatura. Tashmë edhe roli i të ‘moshuarve’ edhe roli i të rinjve në sallën e formimit e aprovimit të ligjeve, njihet fort mirë nga votuesit e ngratë. Pra, sasia e njerëzve të cilët, nga”baza e nisjes” e të qenit të barabartë, filluan fazën e parë të garës së pasurimit galopant (pa përmendur ‘akseset e asetet’e tjera të tyre), prej këtij pozicioni burim fitimi është e mjaftueshme për një vend të vogël si i yni. Me këtë nuk dua të them se emrat e sipërpërmendur kanë vend akoma në parlament. Kurrën e kurrës! I pamë se kush ishin dhe sa i shkrinë energjitë e tyre për popullin dhe kombin! Le të marrin tituj honorifikë, por nuk ka pse të paguhen më në ato karrige. Po në atë kufi të domosdoshëm për t’u larguar nga ajo sallë janë edhe deputetët që mirëfilltazi mbajnë titullin “Milioner!”, ngase e kanë bërë këtë pasuri me anë të ligjeve që iniciuan vetë vit pas viti, pa dalë në skenë.

Feudalët e rinj të fshatit

Shtresa e pasanikëve, pa dashur të fyej askënd, sepse shumë syresh njihen si “babaxhanë”, “të lidhur me hallet e popullit” etj. etj., me tagrin e feudalit të fshatit u rikrijua dhe po ecën bajagì mirë, madje ka edhe ish-kryetarë ish-komunash, dhe kryetarë bashkish, që kanë prona të reja të cilat as mund t’iu kishte shkuar ndërmend brez pas brezi. Kështu përpos vilave në qytet e në bregdet, kanë ndërtuar, sado të thjeshta, edhe pishina në fshat. Paçka se nuk dinë të flasin për njohje apo zbatim ligjesh e ca më pak për kulturë e gjuhë kombëtare.

Të tillët nuk kanë më vend në atë sallë ku bëhen ligjet e këtij vendi, mbasi, edhe pse kanë pasuri e ‘format ligjor’ nuk kanë njohuri, dituri dhe kompetencë për të menduar rreth neneve të ligjit e jo më për të diskutuar apo për të patur një vizion (e ç’u duhet atyre fjala vizion?!) për miratim ligjesh që do t’i shërbejnë shtetit shqiptar në të ardhmen. Mjafton që të shohësh se sa libra ka në bibliotekën e tij personale (në qoftë se ka një të tillë) dhe të vështrosh me kujdes notat në dëftesat (në qoftë se ato nuk janë false) e shkollave që ka kryer dhe del vete përfundimi për nivelin juridik e politik të personit.

Ndarje në parcela për shfrytëzim, apo ndarje për zhvillim

Sasia e popullsisë që banon si edhe e atyre që gëzojnë të drejtën e votës  në këtë territor që quhet Republika e Shqipërisë, të ndarë në kaq e aq zona zgjedhjesh (më lejoni ta them ashtu siç na rëndojnë: zona zgjedhe në zverk!) është aq i vogël sa nuk ka pse të ndahet në aq copa e me këtë shifër kaq të vogël për t’u përfaqësuar në Kuvendin tonë parlamentar.

Konkretisht: Aktualisht janë 90 zona të administrimit zgjedhor dhe zgjidhen 140 deputetë !? E pse ? Si rezultat i asaj që Edi Rama e quajti Reformë në ndarjen administrative në Shqipëri, nga 383 bashki tashmë kemi 61. Bukur fort! Popullsia e Vlorës si qark është 183.105 mijë vetë. Kodi zgjedhor aktual kësaj popullate i jep 7 deputetë. E pse? A nuk mjaftojnë 3 persona? Përse lypsen 3 deputetë në Kukës ku banorë janë vetëm 84 mijë vetë gjithsej? Çfarë të mirash do t’i sjellin qarkut të Beratit 7 deputetë, kur ai në territorin e vet ka 139 mijë banorë? Dhe mos të harrojmë se shifra e banorëve në qarqet tona është shumë e ndryshueshme nga viti në vit, mbasi më pak lindin, më shumë emigrojnë ndërsa vdekjet janë relativisht me mesatare konstante. Ky është fakt.

Në vitin 2017 votues të regjistruar në Shqipëri (por këto regjistra asnjë herë nuk janë të sakta, siç ka treguar momenti paszgjedhor) ishin 3,452,324 vetë. Votuan konkretisht1,614,479 vetë. Dhe këta votues ia dhuruan votën e tyre 140 deputetëve tanë që i kish paracaktuar partia!? Kjo është një lloj lajthitje zgjedhore e jo zgjedhje nga populli. Përsëri më lind pyetja : përse na duhet ky lloj kodi që na vjedh edhe votën, edhe rrogën, edhe ditët e jetës? Mbase ka ardhur koha që të rikonceptohet jo vetëm kodi zgjedhor, por edhe qenia deputet dhe detyrat e tij në përshtatje me sasinë e njerëzve që i kanë dhënë votën sipas territorit. E më tej llogaridhënia e tij para tyre në intervale të detyruara me ligj se si e se sa ua ka zgjidhur ai hallet votuesve. Se ai nuk ka punë tjetër, veçse është deputet! Kuptohet, dua të them: më pak zona zgjedhore, më pak komisione zgjedhore, më pak deputetë se na rëndojnë kot së koti mbi ekonominë tonë.

“Ndërtesë parlamentare e pambrojtur nga tërmeti”

Një ‘biná me shumë kate, me një numër të madh hyrjesh e dhomash’ është në realitet ‘godina’ institucionale e Kuvendit (Parlamentit) të Shqipërisë. Le të kujtojmë vetëm që struktura e Kuvendit ka 21 shërbime; duke llogaritur sikur me minimum 3-5 vetë në secilin bëjnë 63 -105 rrogëtarë. Po shoferët, bodigardët (lexo: rojet personale) e ata të anekseve të padukshme? Harxhimet për këtë lukuni njerëzish që punojnë pak e marrin shumë (sepse kështu është ndërtuar ligji), janë kolosale krahasuar me gjendjen ekonomike, të prodhimit e të konsumit, të bazës materiale e të asaj teknike që zotëron shteti ynë aktualisht. Janë peshë krejt e papërballueshme për ne taksapaguesit. Po përmend vetëm koston e lartë të katër ‘artikujve’ dhe treguesve që ‘posedojnë’ Thuajse pa kriter këta deputetë dhe shumatorja alarmante e atyre që shoqërojnë ligjërisht deputetin: kohë, naftë, letër, pará. Lejomëni të kujtoj se vetëm funksioni i Kryetarit të Kuvendit ka, veç të tjerësh, edhe tre sekretare protokolli (më falni nëse nuk e kam të përpiktë emërtimin, por kam të saktë shifrën), ku së fundmi, njëra syresh u pushua(!) nga puna vetëm se nuk kish njoftuar shefin për iks problem që ndodhi në një njësi administrative të Tiranës, ndërkohë që shefi ndodhej jashtë shtetit ‘me punë’ dhe nuk arriti ta merrte vesh në kohë ngjarjen! Ku i ka shtyllat mbrojtëse dhe argumentuese tërë kjo godinë? Me se paguhen tërë këta rrogëtarë veçse me taksat tona që po na i rrisin për ditë? Në një kohë që në Suedi e drejta e strehimit, pra e posedimit të një banese konsiderohet nevojë jetike për gjithkënd, tek ne taksa e kësaj prone rritet thuajse çdo vit. Në një kohë kur në Slloveni po diskutohet që e drejta e pirjes së ujit është nevojë alfa për jetën e çdo qenieje të gjallë, ndaj uji të jepet falas, tek ne rritet në stratosferë çmimi dhe taksa e ujit, kur dihet se (Oh çfarë hipokrizie dhe padrejtësie!) jemi një ndër pesë vendet më të pasura me ujë në Europë. Prandaj kjo”ndërtesë”, me emrin Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, duhet të shkundet mirë nga’ tërmeti’ i një ristrukturimi të këtij institucioni sa nuk është vonë.

Inkompetenca, arroganca  dhe konformizmi

Duhet të prishet sa më parë imazhi që është krijuar deri tani si parlament gaztor, inkompetent, herë-herë inekzistent, madje, që të jem i sinqertë, na është brumosur përshtypja se Kuvendi aktual i Shqipërisë është një sallë (dikush atje lart, padrejtësisht e ka fyer duke e quajtur edhe stallë!) ku shpalosen jo rrallë negativitete. Nga individë jo të paktë prej atyre që mbajnë titullin ‘deputet’ shpërfaqen fjalë fyese e të një fjalori tepër të papranueshëm, shfaqje antiedukative, antinjerëzore e antikombëtare deri në paradoksin: djegie mandati në bllok të realizuar nga i pakuptueshmi dhe i vetëpërvëluari i paaftë kryetar i së djathtës, tashmë i mbetur rrugëve dhe foltoreve sa në Shqipëri aq edhe nëpër Europë. Të gjithëve na kujtohen bëmat e deputetëve të thjeshtë, por sidomos të krerëve në sallën e këtij parlamenti: akuzat kriminale dhe sharjet e fyerjet me libër shtëpie nga S. Berisha; sulmi me vazo lulesh e kapërcim tavolinash për të goditur presidiumin ku ishte një …femër; gjuajtje me shishe boje, tufa letrash dhe kërcënime për goditje më grusht në sa e sa raste; paradë replikash aromëkeqe midis kryetarësh; mungesat në punë prej afër gjashtë muajsh të disave,e kjo disa është shifër jo e vogël; prania e vdekur e disa të tjerëve; votimi për shokun që mungon; etj. etj. Ja fare shkurt dhe dy arsyet e tjera më poshtë.

A janë krahasimet të rrezikshme?

Diçka për krahasim, qoftë edhe në ecje, nga ku dalin vetë përfundimet: Greqia me 11 milion banorë ka 349 deputetë. Estonia, Maqedonia e Veriut e Shteti Shqiptar i Kosovës, që kanë popullsi afërsisht të barabartë me Shqipërinë zgjedhin respektivisht 101, 120 deputetë. Edhe Italia po përpiqet që ta shkurtojë numrin e deputetëve. Kina ka tremijë deputetë që përfaqësojnë një miliard e pesëqind milion njerëz, atje lart. Shqipëria, me rreth dy milion banorë, përse të ketë 140 deputetë ? Përse tërë ky luks i pamerituar? Edhe pak më tutje: Kuvendi Popullor i rendit socialist shqiptar kishte 250 deputetë. Por ju kujtoj këtyre votuesve që nuk e dinë,(se kryetari i Kuvendit dhe ndonjë tjetër e di fort mirë!) se 90% të tyre jetonin në bazë tek populli, ku kishin një detyrë të mirëfilltë funksionale, për të cilën jepnin llogari edhe paguheshin, dhe krahas, si deputet merrnin një përqindje të vogël shtesë page, e cila ishte në raport të drejtë me nivelin e pagave në shkallë vendi. Krejt ndryshe nga gjendja e sotme, ku deputeti merr pagën mbi dy qindmijë lekë të rinj, dhe, për habinë e botës, edhe kur largohet vullnetarisht gëzon të drejtën e 50% të pagës. A e shihni? Parlamenti ynë paguan me ligj dembelizmin dhe ata që largohen nga puna. Ndërkohë që urtësia popullore shqiptare, paksa e ashpër, thotë se “kali që thyen këmbën dhe burri që lë punën përgjysmë-vriten”!

Po ashtu popullsia ishte më e madhe se kjo e tanishmja sepse nuk kishte emigracion. Me shifrën 250 e nisën edhe pluralistët tanë të parë, por pas disa vitesh, u hodh një hap objektiv dhe u vendos që të kemi 140 deputetë. Ka 21 vjet që shifra mbeti këtu. Po ç’na duhen kaq shumë vallë? Sado që nuk janë të gjithë ashtu siç i emërton armiqësisht ndonjë ish-deputet mandat djegur, kjo shifër e lartë deputetësh, me gjithë meritat e dobësitë e tyre, s’është tjetër, veçse mbipeshë e pajustifikuar, madje e dënueshme moralisht, përmbi zgjedhën tonë të taksave e të kostos shumë të lartë të jetesës?!

T’i jepet fund Parlamentit të çaprashitur si ky i yni …!?

Së fundi, ka ardhur koha për pak e saktë. Çdo bashki, veç Tiranës, të ketë një deputet. Kjo është e bollshme dhe plotësisht e mundshme. Me logjikë të ftohtë Shqipërisë i mjaftojnë 70-80 deputetë. Është tepër primitive, madje antipopullore (sepse në realitet antipopullor është vetë sistemi kapitalist), që emrat e kandidatëve për deputet t’i vendosë kryetari i partisë me një listë të gjatë. Kryetari i partisë nuk përfaqëson kurrë një popull, por një grup njerëzish, një organizatë përçarëse dhe një alternativë të biznesit në politikë. Ndaj edhe po ndodh aq shpesh ajo që del se deputeti dikur ka kryer krime e akraballëqe të ndëshkueshme. Dhe bën vaki, po ashtu, që kur (larg qoftë), vdes një deputet, funksionari përkatës njofton: ‘hajde vazhdo radhën sipas listës…!’ Dhe vjen zëvendësuesi (që nuk dihet seç derdimen është) dhe zë kolltukun në radhën harkore moderne ku ishte ulur i ndjeri! Siç po ndodh tani që lakohen me mbi 15 emra që ‘nuk jetojnë’ fare në atë sallë ngase kurrë nuk janë aktivizuar për të folur e mbrojtur të drejtat e popullit që përfaqësojnë. Apo më keq me pazarin “ma dogje, ta dogja!” midis deputetëve të PD e vasalët e vet, ku dashakeqësia arrin deri në të qëlluarit me shiringa boje! Turp mbi turpe! Deputetët duhet t’i zgjedhë patjetër vetëm populli që i njeh bijtë e tij. Urgjentisht duhet rregulluar sistemi zgjedhor (në të vërtetë, gjuhësisht duhet thënë zgjedhjesor), përsa i përket kësaj pike, sepse po na digjet edhe krejt imazhi i Shqipërisë me caktimin e emrave për t’u zgjedhur në postin e deputetit, demek përfaqësues të popullit, vetëm nga kryetari i partisë!

Dihet se rrallë ndodh që edhe pasuria edhe mendja e ndritur të jenë bashkuar në trupin e një personi, mbasi njerëzit në rendin me klasa shtypëse dhe të shtypura, të cilin ne jemi duke ndërtuar me ngutësi, nuk i bëjnë garat për mirësi e drejtësi, por për pasuri e lavdi. Por është gjithashtu fakt i njohur, që në mesin tonë ka jo pak njerëz të ditur, profesorë me integritet, dijetarë me dinjitet dhe shkencëtarë me peshë kombëtare e ndërkombëtare, juristë të mirëfilltë, të ekuilibruar e të pakorruptuar. Me të tillë deputetë cilësorë, dhe në një sasi vetëm 70-80 vetë, do të marrë frymë lirisht parlamenti, do të kemi tjetër ftillim kombëtar rreth ligjeve dhe domosdoshmërisë së përpilimit e zbatimit kompetent të tyre, do të ketë më shumë hapësirë përfaqësimi, mendimi e veprimi të masave të thjeshta të popullatës shqiptare për zhvillim harmonik të vendit. Me siguri, pas këtyre ndryshimeve të mundshme, askujt nuk do t’i shkojë mendja për ta djegur atë parlament siç qe një alibi-informacion para ca muajsh të këtij viti(!?) apo për ta rrethuar e qëlluar me ‘bomba molotov’ apo për ta mbrojtur me gaz lotsjellës. Një ngushtim i tillë, në numër e strukturë shërbimesh, do të sjellë padyshim një zgjerim të mushkërive të organit tonë më të lartë ligjvënës. Të gjithë këtyre elementëve që mendoj se duhet të zgjidhen, iu dhimbset atdheu, kombi, gjuha e për më tepër dinë të mendojnë me tejpamësi nevojën e ligjeve, hartimin dhe vendosjen e tyre në funksion të zhvillimit bashkëkohor kapitalist si mbarë Europa e bota e qytetëruar dhe me përvojë në këtë sistem ekonomiko-shoqëror.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT