PPP-të deformojnë shpenzimet për shëndetësinë, s’japin rezultat për sëmundjet

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione në sektorin e shëndetësisë për 10 vitet në vijim.
Në këtë mënyrë, shteti ka transferuar shërbime që i kryejnë privatët me pagesa nga buxheti i shtetit për shërbimet e Dializës, kontrollit bazë shëndetësor, Check Up, sterilizimit në spitale dhe shërbimit laboratorik.
Ekspertët të sektorit të shëndetësisë po ankohen gjithnjë e më shumë se burimet financiare për sektorin po shkojnë në drejtime dytësore dhe tretësore, ndërsa parandalimi i sëmundjeve dhe trajtimi i tyre kërkon investime në pajisje dhe teknologji të reja, por realiteti është edhe më i trishtë, pasi edhe numri i shtretërve nuk mjafton në shumicën e pavijoneve të QSUT-së.
Megjithëse koncesionet PPP në sektorin e shëndetësisë kanë hyrë në vitin e katërt, ka shumë pak transparencë ndaj tyre dhe analizat e kosto-përfitimeve mungojnë. Por të dhëna të fragmentuara që burojnë nga dokumente zyrtare tregojnë se koncesionet po rezultojnë me kosto shumë herë më të larta se përfitimet.
Sektori i Shëndetësisë, historikisht ka qenë i nënfinancuar në Shqipëri, duke u vërtitur në mes 2-2.5% të PBB-së ndër vite. Me këto financime, shëndetësia shqiptare është më pak e financuar se në të gjitha vendet e Europës.
Për rrjedhojë, shqiptarët paguajnë nga xhepi 50% të kostove të shërbimeve shëndetësore që, sipas Bankës Botërore, që ka bërë këtë matje, është niveli më i lartë në Europë.
Bizneset që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me koncesionet në shendetësi, të llojit Partneritet Publik-Privat, janë duke realizuar fitime të larta, mbi mesataren e tregut.
Norma mesatare e fitimeve në ekonomi ishte 7-8% sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017, ndërsa norma e fitimit në koncesionet e shëndetësisë ishte 13% më 2018.
Vitin e kaluar, fitimet e koncesioneve të sektorit të shëndetësisë u rritën 60% në raport me 2017, sipas të dhënave nga bilancet zyrtare që kompanitë kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të përpunuara nga “Monitor”.
Të tria kompanitë që zotërojnë koncesione në shëndetësi raportuan 3.2 milionë euro fitime, nga 2 milionë euro që raportuan në vitin 2017.
Pjesa më e madhe e fitimeve është realizuar nga koncesioni i sterilizimit nëpërmjet kompanisë SaniServis me rreth 2 milionë euro, teksa 3P Life Logistic që zotëron CheckUp-in dhe koncesioni i Hemodializës raportuan fitime më të ulëta se një vit më parë.
Sic edhe është vënë në dukje më hetët, vetëm duke përllogaritur fitimet që rrjedhin nga koncesionet e shëndetësisë, që janë kontribut i pastër i taksave të shqiptarëve, shuma do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një qendër spitalore publike moderne.