Prapë mos e jepni me PPP

Nga Edona Llukaçaj
Për shumë që jetojnë në kryeqytetin shqiptar dhe gjatë javës ‘përpihen’ nga puna e obligimet, fundjava është një kohë e premtuar për familjen e pse jo pak pushim larg zhurmës, smogut e stresit.
Kur kjo dëshirë njerëzore favorizohet dhe nga moti e buxheti kapricioz, rrugët për diku bëhen më ftuese, padyshim.
Shqipëria, shpesh e definuar si “një perlë e pazbuluar europiane”, ofron pafund, por jo rrallë bukuritë e saj janë të vështirë-aksesueshme me një makinë të thjeshtë e një buxhet të kufuzuar shqiptar.
Kjo nuk vlen vetëm për vendet turistke relativisht më larg Tiranës apo qyteteve të tjera kryesore. Infrastruktura e munguar, por e premtuar intensivisht në fushata, si për shembull për rrugët që çojnë drejt Thethit a Lurës, justifikohet jo rrallë me shprehje të tipit se investimi fillon nga qendrat e popullura më dendësisht dhe se rrugët malore kërkojnë fonde më të larta.
Pavarësisht vërtetësisë botërisht të ditur të këtyre fjalëve, përdorimi i tyre i ripërsëritur, teksa pamjet 3D të projekteve ‘shëtisin’ në rrjetet sociale të pushtetarëve lokalë a të qendrës, ngjall dyshimin se projektet do mbesin edhe për një kohë të gjatë veç virtuale. Ky dyshim përforcohet nga fakti se edhe rrugët, që lidhin vende me potencial të lartë turistik dhe ndodhen krejt afër me Tiranën e Durrësin, janë në gjendje të mjerueshme.
Ndoshta një prej rasteve më flagrante është ai i rrugës drejt të ashtuquajturit “Sektori Rinia” në Durrës. Rruga me dy kalime që presupozohet të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me lagunën e Fllakës dhe plazhit të Sektorit Rinia (në të njëjtën kohë rruga drejt disa fshatrave të Durrësit) mund të konsiderohet pa frikë një monopat me një kalim, pjesë të së cilës kanë të gjithë parametrat e nevojshëm për tu përdorur për garat off-road me makina.
Gjendja e rrugës drejt një plazhi rënor të mrekullueshëm e drejt një pylli pishash po aq mbresëlënës -një pjesë e të cilit çuditërisht është shpallur pronë private-, fatkeqësisht, përbën një arsye e mjaftueshme për të mos e ndërmarrë udhëtimin.
Degradimit të rrugës, që sipas të dhënave është “ndërtuar” më shumë se një herë në pak vite i shtohet mungesa e sinjalistikës dhe tabelave, çfarë, për të pamësuarin, e bën gjetjen e rrugës të mundur veç me navigator a aplikacionin e hartave.
Si në të tjera raste, rruga “e harruar” e bën pothuajse të pamundur aksesin te një plazh alternativë për të mbipopulluarin dhe jo pak të ndoturin e Durrësit, me pedonalen e papërfunduar të pusetave kundërmuese e tubave jashtë.
Kjo “harresë” ngre dyshimin se këto akse rrugore do jenë subjekt i një koncësioni të ardhshëm apo janë ‘’në ruajtje’’ për ndonjë investim “përjashtues”, si ai i vilave luksoze në pjesën më të bukur të Kepit të Rodonit.
*Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë.



