Qeveria premton që Shqipëria do ketë 24 orë ujë në… fund të 2027

Sipas planit afatmesëm të buxhetin për periudhën 2020-2022, qeveria parashikon që në fund të vitit 2022 furnizimi mesatar me ujë në rang vend, nga 13 orë që është këtë vit, të bëhet 16 orë.
Me një rritje të lehtë të buxhetit për sektorin ujësjellës kanalizime, që ka shifrën 11.98 mld në vitin 2022 nga 10.38 mld lekë që është këtë vit, qeveria parashikon që të ndërmarrë investime që mundësojnë furnizim 24 orë me ujë dhe shërbime për zonat bregdetare.
Ndërkohë që, bazuar në programin e ujësjellës-kanalizime, ku qeveria është bazuar për hartimin e tij, specifikohet se mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë për të gjithë popullatën, parashikohet të arrihet në vitin 2027.
Zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm konsiderohet në dokument si një nga prioritetet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë që, kjo pritet të arrihet edhe përmes përmirësimit të menaxhimit të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, që në shumë qytete operojnë negativisht. Për këtë arsye, këtë vit është ndryshuar 2 herë edhe metodologjia e subvencionimit nga ana e buxhetit të shtetit, ndërkohë që autoritetet kanë kërkuar publikisht që këto shoqëri të mos përdorin rritjen e tarifave, si formë për të rritur të ardhurat./Scan