Skema për Shkodrën, “ndryshim ligji që të shmanget Presidenca”?

Maxhoranca vijon të jetë në vështirësi në gjetjen e një zgjidhje për të zhbllokuar ngërçin e Shkodrës, krijuar nga dorëheqja e Valdrin Pjetrit.
Megjithatë nuk kanë munguar sugjerimet e para se si mund të zhvillohen zgjedhje të pjesshme në Shkodër në një kohë ku ato refuzohen të dekretohen nga presidenti Ilir Meta.
Juristët e shumicës të ndodhur përballë një ushtrimi të vështirë juridik, e shikojnë zgjidhjen në ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
“Ndryshim i nenit të kodit zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme duke ia hequr të drejtën e dekretimit të presidentit, dhe kalimin e kësaj kompetence KQZ-s, për raste të ngjashme si ato të Valdrin Pjetrit”, – shkruajnë media afër qeverisë.
Për të bërë këtë ndryshim emergjent në kodin zgjedhor shumica i ka votat në parlament.
Një ndryshim i tillë do të jetë jo vetëm “zgjidhje” për Shkodrën, por edhe për ndonjë bashki tjetër si ajo e Vorës, ku me gjasë zgjedhjet e pjesshme janë të pashmangshme.
Ndërkohë përballë një mazhorance që për gjithë pamundësitë, përfshirë PPP-të, po përdor kartonat në Kuvend, Presidenca sheh si zgjidhje jo vetëm për Shkodrën por edhe për të gjithë Shqipërinë datën 13 Tetor.
Kjo datë zgjedhjesh e dekretuar nga presidenti ka mbetur thjesht një dëshirë në sirtarin presidencial për aq kohë sa KQZ as që e ka marrë mundimin ta diskutojë dekretin e 13 Tetorit e jo më të nis përgatitjet për zgjedhjet.
Kristaq Kume ish kreu KQZ në një intervistë për Top-Channel tha se zgjedhjet e parakohshme në Shkodër kalojnë vetëm përmes një dekreti të presidentit dhe se çdo zgjidhje tjetër do të jetë e sforcuar.
Përballë kësaj situate duket se maxhoranca do të shkojë drejt një “zgjidhjeje të sforcuar”.