45 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në Francë në dekadën e fundit

Franca po e refuzon hapjen e negociatave për Shqipërinë, nën argumentin se shqiptarët renditen të parët për sa i përket numrit të azilkërkueseve.

Presidenti Macron tha se përveç rishikimit të procesit të anëtarësimit, Shqipëria mbetet problem për migrimin masiv.

Ministrja e jashtme e këtij vendi përmendi edhe reformat e votuara që duhen zbatuar.

Sipas të dhënave që Franca paraqet bazuar te Eurostat, gjatë vitit 2018 numëroheshin 9,655 azilkërkues nga Shqipëria në Francë, duke u renditur kështu nacionaliteti i dytë më i madh, pas afganëve.

Numri azilkërkuesve nga Afganistani, i cili nuk konsiderohet një vend i sigurt, sikurse është Shqipëria, ishte 10,340 me një diferencë të ulët me Shqipërinë.

Në 2017-n, shqiptarët renditeshin të parët në Francë si azilkërkues me 12,130 aplikime, duke shënuar rekord aplikimesh, që prej të dhënave të para historike që ka Eurostat mbi azilkërkuesit.

Që prej 2008-s në Francë kanë aplikuar për azil mbi 45 mijë shqiptarë.

Pjesa më e madhe e aplikimeve janë përqendruar gjatë 3 viteve të fundit, me 29,290 aplikime, sa 65% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit.

Trendi gjatë shtatë muajve të parë të 2019-s ka qenë sërish në rritje, me një mesatare prej 834 aplikime në muaj.

Nga janari deri në korrik numëroheshin në total 5,835 aplikime nga shqiptarët në Francë, 25% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ndonëse kanë një normë shumë të lartë të refuzimit, shifrat tregojnë se shqiptarët nuk dorëzohen lehtë. Në fazën e dytë të rishikimit të kërkesave, aplikimet nga shqiptarët janë më të lartat.

Tek rishikimet, aplikuan në total 6,396 shqiptarë, ku u pranuan 155 dhe u refuzuan 2,762 të tjerë.

Gjatë vitit 2018 aplikuan për azil në Francë 114,507 individë të kombësive të ndryshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT