“70 mijë euro sistem ngrohjeje”, prokurori Troci përfundimisht jashtë drejtësisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka lënë ditën e sotme në fuqi vendimin e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) për shkarkimin e Prokurorit të Prokurorisë së Përgjitshme, Ramadan Trocit.

Me anë të një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të saj, KPA ka bërë me dije se Kolegji i Posaçëm i Apelimit i përbërë nga Ardian Hajdari, Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo kanë shpallur vendimin për çështjen e ankimimit të të Prokurorit Ramadan Troci kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Me anë  të vendimit të marrë sot, KPA vulosi përfundimisht shkarkimin e Prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme, Ramadan Trocit.

Troci njihej edhe si prokurori i ‘VIPa-ve’, për shkak se ka arrestuar Ardian Fullanin dhe Shpëtim Gjikën. Në vendimin e shkarkimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pohonte se Ramadan Troci ka fshehur pasuri të paluajtshme në emër të personave të afërt.

Gjithashtu KPK dyshon se Ramadan Troci ka në pronësi një apartament luksoz në afërsi të ish-godinës së ATSH-së, të cilin e ka arreduar në mënyrë të tillë, sa që vetëm sistemi i ngrohjes dhe ftohjes kushton mbi 70,000 euro dhe televizori kushton rreth 20,000 euro.

Njoftimi zyrtar:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama  relatore, Luan Daci, Natasha Mulaj, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.2/2019, datë 08.01.2019, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Ramadan Troci kundër vendimit nr. 77, datë 15.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi në mënyre unanime:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 15.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Ramadan Troci.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 21.10.2019.

7 PROVAT që çuan në SHKARKIMIN E TROCIT:

Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht pagesën e këstit të parë, për prenotimin e apartamentit deri në vitin 2011

Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht pagesën e bërë për blerjen e automjetit në vitin 2008

Subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht krijimin e depozitës prej 2,500,000 lekë, në fund të vitit 2016

Subjekti ka fshehur pasurinë, ndërtimin pa leje me sipërfaqe 32 m², në truall të zënë me sipërfaqe 450 m², në Paskuqan, Tiranë, ndërtim i cili sipas përgjigjes së ALUIZNI-t, rezulton me kërkesë vetëdeklarimi nga ana e tij më datë 07.11.2006.

Subjekti në vazhdimësi nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare, nuk ka deklaruar saktë shtesat e depozitës në emër të bashkëshortes së tij, si edhe ka kryer deklarime të pasakta lidhur me të ardhurat e përfituara.

Bazuar në indicie dhe të dhëna të rëndësishme, Komisioni, krijoi bindjen se subjekti është pronar de facto i disa pasurive të tjera, të listuara më sipër, të cilat janë regjistruar në emër të të afërmve dhe familjarëve të tij.

Vëllai i subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e personit tjetër të lidhur, nuk justifikon me burime të ligjshme pasuritë e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT