Albin Kurti mesazh nga Tirana: Ndjehem si në shtëpi, me Ramën duam të ndërtojmë sa më shumë ura bashkëpunimi. Ja çfarë diskutuam

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në samitin e paqes për Europën Juglindore.
Ai e nisi fjalimin e tij duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve pasi në Tiranë ndihej si në shtëpinë e tij.
“Edhe unë jam këtu si mysafir në samitin e paqes por ndihem si në shtëpi edhe këtu në Tiranë, si në Prishtinë, prandaj mirësekeni ardhur dhe mirëse gjejmë njëri tjetrin në këtë takim shumë të rëndësishëm”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për takimin disa orësh në kryeministri me Edi Ramën.
“Biseduam për çështje të përbashkëta, dhe për çështjet e viseve tona, duam që në aspektin e politikës së jashtme dhe ekonomisë të kemi një bashkëpunim më të mirë. Mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët, janë shumë më të mëdha se realiteti që kemi krijuar, duam të krijojmë sa më shumë ura që të ndihmojmë shqiptarët të mos jenë më të nëpërkëmburit në Ballkan. Minishengeni ballkanik më ngjan më shumë si një ide, sesa një projekt.”, u shpreh Kurti.
Kurti e quajti takimin të rëndësishëm dhe nënvizoi bashkimin për paqe
“Them takim shumë i rëndësishëm sepse këtu njerëzit bëhen bashkë për paqe dhe bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqim dhe ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha të njerëzimit është përcarja e samite të këtilla që i bëjnë bashkë njerëzit janë tepër të vlefshme. Republika e Kosovës,Shqipëria, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE. Këtu vlerat e përbashkëta dhe interesi ynë i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në mënyrë që paqja dhe siguria afatgjatë të jenë pasoja të drejtëpërdrejta të zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë të cilët duhet të ndërtojmë edhe brenda dhe në marrëdhënie të shteteve me njera tjetrën.”, u shpreh Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes kishte dhe një apel për BE.
“Përveç fqinjësisë së mirë që vendet e Ballkanit kanë nevojë, integrimit të sigurtë në BE, me këtë rast duhet të ndryshojë jo vetëm rajoni por dhe BE sepse Ballkani Perëndimor dhe BE janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin. Brenda shteteve tona duhet të luftojmë varfërinë, pabarazinë dhe padrejtësinë. Prandaj është e domosdoshme të jemi bashkë në kundërshtimin e varfërisë padrejtësisë e pabarazisë.”, tha Kurti. (TemA)