Ambasadori i BE: Reforma në drejtësi, pjesë e historisë moderne të Shqipërisë

Në konferencën “Gjithçka për drejtësinë”, që po zhvillohet në Tiranë me ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor është i pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Ai theksoi se kjo reformë është pjesa e historisë moderne të vendit tonë, përmes së cilës, qytetarët pa dallim do të gjejnë atë që u ka munguar prej vitesh.
Ambasadori, gjithashtu bëri thirrje të mos ketë vonesa të pajustifikuara për krijimin e SPAK dhe BKH.
“Gjithçka ka të bëjë më drejtësinë, sepse ajo është themeli i demokracisë funksionale. BE ka qenë krenare dhe është krenare që ka punuar pa fund për të mbështetur Shqipërinë në Reformën në Drejtësi. Reformat nuk ndodhin se pse i kërkojmë ne, por reformat kërkohen nga qytetarët. Asnjë ndryshimi themelor nuk ndodh brenda natës, por duhet të filloj diku. Reforma në drejtësi, është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë. Ne presim krijimin e BKH dhe SPAK dhe detyra është që mos të këtë ngadalësim në këtë rrugëtim. Historia e Reformës në Drejtësi është një histori përkushtimi konsensusi mes palëve politike. Nuk ka demokraci pa drejtësi që mbron të drejtat e qytetarëve.
Po t’i hedhim sytë në të shkuarën 3 vitet e fundit shumë pak vende në botë kanë bërë këtë transformim të thellë dhe kanë pasur këtë monitorim ndërkombëtar. 40 ligje të reja u ndryshuan që kishin të bënin me qeverisjen e gjyqësorit, rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nuk janë më pjesë e drejtësisë. Gjyqtarët që kanë kaluar vettingun nuk do të njollosen më. Duhet t’u japim meritë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e humbën busullën e integritetit. Sistemi i ri i drejtësisë është një realitet në të cilin nuk do të ketë kthim pas. Tek kjo reformë i kanë hedhur sytë edhe vendet e rajonit”, tha ai.