Ambasadori i OSBE: Presim ngritjen e SPAK-ut, e ardhmja e Shqipërisë varet nga drejtësia

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt tha gjatë fjalës së tij se gjyqtarët dhe prokurorët e rinj po diplomohen, në momentet kur pritet që të ngrihen edhe institucionet e reja të drejtësisë si SPAK dhe BKH.
“Së shpejti do të formohen institucionet e reja të drejtësisë. E ardhmja e vendit varet nga zbatimi i Reformës në Drejtësi. Duhen luftuar defektet aktuale të sistemit të drejtësisë. Ju inkurajoj që të investoni në sistemin e drejtësisë. Pritjet janë të mëdha, të gjithë kanë besim te ju.
Çdo vit dalin prokurorë dhe gjykatës të rinj, kemi bërë trajnime për profesionistët e drejtësisë. Shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë edhe më tej. Kemi qenë partner të kësaj shkolle, kemi dhënë mbështetjen tonë për trajnimet”, tha ai.
Ndërkohë Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca ka inkurajuar gjeneratën e re të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë diplomuar.
“Gjykatësit janë si doktorët që mund t’u shpëtojë jetën. Të gjithë janë krenarë për ju. Mos harroni asnjëherë se keni një përgjegjësi e madhe që keni mbi shpatulla. BE do të vijojë mbështetjen edhe pas studimeve”, tha ai.
Ndërsa Jutta Gützkoë, Drejtuese e Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri tha: Kjo shkollë duhet të përballet me sfidat që ka përpara dhe të bëjë ndryshimet e duhura. BE ka dhënë mbështetjen për këtë shkollë për të rritur cilësinë. Duhet t’iu uroj që e keni përfunduar me sukses këtë cikël trevjeçar. Shpresat janë të vendosura te ju për një zbatim të suksesshëm të reformës në drejtësi.