BILD nuk publikoi përgjimet e Xhelal Mziut. Noka nuk i ndaloi policisë: Po të kisha armë do t’i qëlloja

Në përgjimet e Dibrës, botuar nga gazeta gjermane Bild, implikohen shumë zyrtarë të lartë të PS, mes të cilëve edhe vetë kryeministri Rama.

Por në një emision televiziv të martën në mbrëmje u mësua se në ato përgjime del edhe emri i ish-kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu

Emisioni Top Story publikoi se edhe në rastin e Mziut flitet për blerje të votave, por ky përgjim nuk doli tek BILD.

Në atë fushatë zgjedhore nuk munguan as incidentet. Gjatë natës, duke gdhirë dita e zgjedhjeve, ish-drejtori rajonal i Tatimeve Dionis Imeraj, aktualisht kryebashkiak i Dibrës, denoncoi ish-deputetin Flamur Noka se e ka kërcënuar me armë.

“Flamur Noka nuk ka prekur armë me dorë që nga shkolla e mesme kur bënim zbor”, tha Flamur Noka, ish-deputet i PD në emisionin e sipërcituar.

Policia raportoi aso kohe se u vu në ndjekje të mjetit tip Audi Q7 me targa AA 007 JF,  ku ndodhej deputeti me dy persona të tjerë, por ata nuk iu përgjigjën urdhrit për të ndaluar.

“Padiskutim kam qenë unë deputet, po nuk kishte asnjë të drejtë policia të më dalë si banditë rrugës natën me maska të më ndalojë, isha vetë unë, nuk kam pas armë se po të kisha armë mund ti kisha qëlluar. Mendova se ishin banditë që më kishin zënë pritë”,  – thotë Noka,  duke e pranuar që nuk i është bindur urdhëri të policisë për të ndaluar makinën.

Po atë natë, në Maqellarë ndodh një tjetër incident. Sërish, në qendër të akuzave do të vihej Flamur Noka.

“Më vijnë informacione se Arben Keshi me një sasi të madhe parash ishte vendosur në një hotel zonës e po vinte për tu futur në Maqellarë, për ti shpërndarë dhe gjetëm një moment për ta ndaluar”,  – pohon Flamur Noka, ish-deputet i PD.

Nga gjithë rrëfimet, duket se demokratët kishin planifikuar të vepronin vetë, qoftë edhe me dhunë, pasi siç thonë ata makineria e shtetit ishte e përlyer e gjitha në shitblerjen e votës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT