Çelja e negociatave/ Meta: Shqipëria nuk i ka bërë ‘detyrat e shtëpisë’, nuk zgjidhet çdo gjë me lobingje

TIRANË– Presidenti Ilir Meta është shprehur i bindur se Shqipëria nuk do të marrë një “PO” më 18 tetor nga BE-ja, pasi sipas tij nuk i ka bërë “detyrat e shtëpisë”. Kreu i shtetit ka kritikuar qeverinë sa i përket rrugës së zgjedhur për të marrë mbështetje nga vendet e BE-së, duke theksuar se në një kohë kur asnjë nuk mban përgjegjësi, jo çdo gjë mund të zgjidhet me lobingje.
Për Metën, eurospekticizmi nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë në vendimin që do të merret në tetor, ndryshe nga sa ka deklaruar kryeministri Edi Rama dhe për këtë solli shembullin e liberalizimit të viza. Meta tha se Europa liberalizoi vizat me Shqipërisë sepse ishin përmbushur të gjitha detyrat në kohë rekord, por situata nuk paraqitet e njëjtë me kushtet që tashmë ka vendosur BE-ja për integrimin e Europë.
Ai u ndal të fliste për zgjedhjet e 30 qershorit, ku ripërsëriti argumentet e tij se përse i kishte anuluar këto zgjedhje, teksa solli në vëmendje shembullin në Kosovë. Ai ka vlerësuar maksimalisht procesin zgjedhor në Kosovë, madje e ka krahasuar atë edhe me Danimarkën dhe sipas tij e gjitha është meritë e sistemit zgjedhor, sepse aty vendos populli, e në Shqipëri partia.