Daçiç: Fitorja e LVV dhe LDK nuk është e rastësishme, e dija

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç nuk ka shprehur habi për fitoren e opozitës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Pasi, sipas tij, ai ishte informuar se nga kush pritej të fitonte gjatë një bisede me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin perëndimor, Matthew Palmer.në një takim të kohëve të fundit, atij i ishte thënë se Lëvizja Vetvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalin fituese në zgjedhje dhe do të krijojnë koalicion.
Daçiç deklaroi: “Nuk është e rastësishme. Amerikanët kanë thënë se tani është çështje pak më e komplikuar sepse për herë të parë do të merren me një parti e cila është e idesë për krijimin e Shqipërisë së Madhe”.
Ai ka shtuar se duhet pritur për deklaratat e reja nga Albin Kurti e Isa Mustafa, sepse “është një gjë kur dikush flet nga opozita, e diçka tjetër kur hynë në qeverisje”.
Ministri theksoi: “Ne nuk mund të ndikojmë tek ata që shqiptarët e Kosovës zgjedhin, ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë pa marrë parasysh nëse dikuj i pëlqen apo jo ajo parti. Në çfarëdo rrethane, pres të vazhdohet dialogu, të heqet taksa dhe me këtë të krijohen kushtet për kërkim të një zgjidhje kompromisi”.