Do deklaronte kundër Berishës, inskenohet aksident ndaj Izet Haxhisë, ish-truproja ndërpret deponimet: Kam jetën në rrezik

Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia është shprehur se do të ndërpresë deklarimet kundër ish-kryeministrit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Avokati i tij, Idajet Beqiri, është shprehur se arsyeja që Haxhia tërhiqet nga deponimet është sepse jeta e tij dhe të afërmve të tij është në rrezik.

Beqiri ka treguar se teksa po transportohej tek Krimet e Rënda dy ditë më parë ndaj Haxhisë është inskenuar një aksident.

“Klienti im ka pësuar dëmtime në kokë dhe është dërguar më urgjencë në spital, ka pasur të vjella. Bota e krimit është ngitur e gjitha në këmbë për të ndaluar deponimet e tij. I bëjnë kanosje për vrasje atij dhe bashkëjetueses së tij,”-tha avokati.

Aktualisht Haxhia, sipas Beqirit, ndodhet në spitalin e Burgut për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga aksidenti.

Deklarata e avokatit Beqiri

Izet Haxhia ndërpret menjëherë deklarimet kundër Sali Berishës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Jeta e tij dhe e njerëzve të afërt të tij rrezikohet në mënyrë dramatike. Tentohet eleminimi fizik i tij .

Izet Haxhiaj, pasi ka deponuar plotë 4 ditë me radhë për 25 orë të qendrimit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë kundër krimeve të kryera nga Sali Berisha për periudhën 1991-1999, në datën 09.10.2019, kur është shoqëruar për të vazhduar deklarimit dhe për të paraqitur provat dhe faktet për çdo akuzë, makina që e shoqëronte ka bërë “aksident”, duke u përplasur. Izet Haxhiaj ka pësuar fraktura në kokë, ka patur të vjella dhe është çuar me urgjencë në Spital…

Për katër ditët që Izet Haxhia ka dhënë deklarimet e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kallëzimit penal të bërë prej tij kundër Sali Berishës në muajin dhjetor 2018, bota e krimit është aktivizuar me një egërsi të paimagjinueshme, sidomos në rrjetet sociale, kundër Izet Haxhisë, njerëzve më të afërt të tij si dhe mbrojtësve ligjor të tij.

Strukturat e shtetit, institucionet përkatëse ligjzbatuese, megjithëse i shohin këto reagime, shantazhime, kanosje serioze për vrasje etj, nuk i marrin në mbrojtje, për t’u siguruar jetën, së paku Izet Haxhisë, këtij dëshmitari okular që me prova dhe me fakte të pakontestueshme po denoncon krimet më të rënda që janë kryer prej ish presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha në vitet 1991-1999, duke i sjell vendit dhe familjeve shqiptare plagë të rënda dhe tragjike.

Në kushtet e mësipërme mbrojtësi ligjor i ka rekomanduar Izet Haxhiaj ndërprerjen e menjëhershme të deklarimeve të tij para Prokurorisë së Krimeve të Rënda kundër Sali Berishës, derisa të marrim garancitë e plota nga institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptar  për jetën e tij dhe të njerëzve të afërt të tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT