“Edi Rama i bashkëngjitet klubit të Sali Berishës e Fatos Nanos”

24 vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Çfarë ka ndodhur me dëshmitarët e kohës, ku janë ata sot dhe pse politika është bërë pengesë për zbardhjen e kësaj ngjarje. Çfarë i ka premtuar Edi Rama djalit të Remzi Hoxhës dhe pse sot nuk ka asnjë angazhim për ta zbardhur njëherë e mirë çështjen e biznesmenit Hoxha.

Entela Resuli

I veshur më një bluzë të kuqe, sportive, e cila mbante të stampuar portretin e babait të tij, Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës ka dalë në një komunikim për mediat paraditen e djeshme.

Tetori është një muaj i trazuar për të pasi i kujton humbjen e babait.

24 vite më parë, Remzi Hoxha është rrëmbyer e më pas zhdukur, pa gjurmë.

Familjarët e tij sot e kësaj dite nuk dinë çfarë është bërë me të dhe nuk kanë një varr ku të kenë mundësi të çojnë një tufë me lule.

Ardiani, djali i madh i Remziut, është ai që çdo vit, nuk rresht duke i kërkuar autoriteteve ligjzbatuese shqiptare zbardhjen e kësaj ngjarje, që ka bërë shumë bujë për vitet kur ka ndodhur (1995), por që sot e kësaj dite, nuk kemi një përgjegjës konkret apo një të dënuar.

Gjashtë vite më parë, Edi Rama u angazhua përballë familjes Hoxha se sapo të merrte detyrën do të zbardhte rastin e tyre.

Me marrjen e detyrës angazhimi u zbeh, edhe pse Ardiani ka realizuar dy takime me të dhe ka marrë në të dyja rastet zotimin se procesi i Remzi Hoxhës do të shkojë deri në fund.

Sot nuk kemi asgjë në dritë për çështjen e Remzi Hoxhës, përveç atyre që janë thënë vit pas viti e që përsëriten, sa herë hapet për diskutim historia e zhdukjes së tij.

Ardiani ndihet i zhgënjyer nga kryeministri Rama.

Në këtë intervistë për Dita-n, Ardiani bën edhe një lutje publike për qeveritarë, prokurorë e gjyqtarë që të angazhohen e të zbardhin rastin e babait të tij, të zbulojnë vendndodhjen e eshtrave dhe të kenë mundësi t’i bëjnë një varr.

-Zoti Hoxha, gjashtë vjet më parë kur ne kemi komunikuar së bashku në lidhje me fatin e babait tuaj, ju kishit besim te kryeministri Rama se do të bënte diçka në lidhje me gjetjen e eshtrave por dhe të autorëve. Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Në fakt ne ishim shumë optimistë në atë kohë dhe pasi takuam z. Rama, u bëmë edhe më optimistë, sepse na tha që do angazhohet për zbardhjen e rastit të babait tim, por që i duhet kohë sepse sapo kishte ardhur në pushtet dhe që presidenti Bujar Nishani mund ta pengonte duke qenë se ishte edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kishte shumë më shumë kompetenca se sa ka tani. Edhe pse kalonin vitet e nuk bënte asgjë, kishim bindjen se do vinte dita që edhe ai do angazhohej dhe përfundimisht, ne të gjenim eshtrat e babait tim.

-Cila është biseda që keni bërë me zotin Rama në dy takimet që keni pasur me të?

Në takimin e parë ia shprehëm shqetësimin tonë, por edhe gëzimin tonë që përfundimisht në krye të shtetit ishte një njeri që nuk ishte i përfshirë në krimin ndaj babait tim. Në takimin e dytë me të, dëgjuam që Budjon Meçe ishte në Shqipëri dhe ishte shëndoshë e mirë, shkova ta njoftoj dhe ai më drejtoi menjëherë tek z. Saimir Tahiri, atëherë Ministër i Punëve të Brendshme. Z. Tahiri ia përcolla gjithë dosjen që përshkruante inkriminimin e Budjon Meçes në zhdukjen dhe torturimin e babait tim dhe ai më tha që menjëherë do vinte në lëvizje të gjithë mekanizmat shtetëror, duke përfshirë edhe policinë. I kam shkruar disa herë pastaj dhe as nuk kemi marrë ndonjë përgjigje e as ka ndodhur diçka. Tash kemi kuptuar se Budjon Meçe ka ndërruar jetë nga vdekje e natyrshme dhe ky është një lajm shumë i hidhur për ne, sepse edhe një nga hallkat e zinxhirit u shua.

-Cilat janë provat që ju i ofruat kryeministrit dhe më pas ministrit të Brendshëm?

I ofrova informacionin se Budjon Meçe ishte në Shqipëri dhe se ai kishte arritur t’i shmangej procesit gjyqësor duke prezantuar para gjykatës dokumente të rreme që thoshin se ai gjendej në koma. Në dosjen gjyqësore shihet qartë manipulimi që Budjon Meçe kishte bërë dhe se atëherë ishte rasti të kapej, të vihej para drejtësisë dhe të tregonte gjithçka rreth krimit që kishin bërë e rrjedhimisht edhe vendndodhjes së eshtrave të babait tim.

-Një prej dëshmitarëve kyç ka ndërruar jetë, por ka ende të tjerë që jetojnë. Cilët janë emrat që mund të hedhin dritë për gjetjen e eshtrave?

Persona të tjerë ende gjallë janë Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini (shefi i Ilir Kumbaros dhe udhëheqës i operacionit të rrëmbimit të babait tim) dhe Avni Koldashi (i cili fizikisht e kishte marrë babain tim nga zyrat e tij). Procesi gjyqësor u manipulua nga prokurorja servile e Sali Berishës, Elizabeta Imeraj dhe këta dy të fundit enden të lirë rrugëve të Tiranës sikur të mos kishin bërë asgjë.

-A keni më shpresë se Rama dhe qeveria e Shqipërisë do të bëjë përpjekje për të zbardhur ngjarjen?

Rama ka ende kohë deri në fund të mandatit të tij dhe neve shpresa nuk na shuhet kurrë, por me sa duket as ai e as bashkëpartiakët e tij nuk kanë ndërmend të bëjnë asgjë, përveç se kur të dalin në opozitë të mundohen të hedhin gurë mbi Sali Berishën. Uroj që z. Rama të mos i bashkëngjitet klubit të Sali Berishës e Fatos Nanos që nuk kanë bërë asgjë rreth zbardhjes së rastit tonë.

-Z. Ardian, sa vjeç ishit kur humbët babain dhe a ju kujtohet takimi i fundit me të?

Unë isha 14 vjeç kur zhdukën babain tim. Takimi i fundit me të ishte ditën e premte kur më çoi në shkollë me veturë, pra datën 20 tetor, dhe prej asaj dite nuk e kam parë më.

-Keni motra apo vëllezër të tjerë, çfarë mendojnë ata për këtë çështje?

Po, kam dy motra dhe dy vëllezër, Kosovaren, Qëndresën, Kushtrimin dhe Flakronin. Ne të gjithë ndajmë të njëjtën dhimbje, të njëjtat brenga dhe të njëjtin mendim. Ata ishin edhe më të vegjël se unë në atë kohë dhe më vjen edhe më shumë keq për ta që nuk patën rastin të jetojnë e shpenzojnë kohë me babain tonë. Vdekja e babës është shumë e rëndë, por të mos dish se ku e ka trupin e ku e ka varrin është ndjenjë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

-24 vite në kërkim të Remzi Hoxhës, sipas jush: Është çështje e vështirë? Nuk duan ta zbardhin? Apo autoritetet që duhet ta bëjnë këtë, pengohen nga dikush?

Në ditën e sotme unë po filloj të mendoj se e gjithë kjo është një shfaqje teatrale dhe të gjithë liderët politik në Shqipëri janë në fakt miq të ngushtë, siç edhe doli që Fatos Nano të ishte mik shumë i mirë i Sali Berishës. Nëse edhe z. Rama nuk e zbardh këtë rast i bie që edhe ai po e mbron Sali Berishën. Të presim edhe pak dhe koha le ta tregojë a është z. Rama i interesuar të luftojë krimin apo e ka vetëm për show mediatik të “kazanëve”.

-Kush mund të pengonte zbardhjen e kësaj ngjarje, sipas jush?

Nëse dikush paguan duhet të jetë Serbia dhe Rusia, sepse me ta ishte i lidhur Sali Berisha, por ende nuk dua të besoj një gjë të tillë për z. Edi Rama.

-Z. Ardian, nuk jeni lodhur? Nëse kjo çështje nuk zbardhet, keni menduar se si do të veproni?

Edhe vetëm se baba do e meritonte angazhimin deri në zbardhjen e rastit, dhe fakti se babai im ishte një burrë i madh dhe figurë shumë e rëndësishme në çlirimin e Kosovës, kjo na bën që të mos ndalemi deri në burrin e fundit të familjes Hoxha. Ne jemi shprehur që edhe Kanuni është si opsion, por akoma kemi besim se institucionet do angazhohen në zbardhjen e rastit.

-Keni një peng në lidhje me babain tuaj…është ai në ëndërrat tuaja?

Jo vetëm unë, por gjithë familjarët e shohim shumë shpesh në ëndërr dhe kjo na ngacmon të besojmë se edhe mund të jetë i gjallë. Duke qenë se edhe nuk ia kemi parë trupin dhe nuk e kemi varrosur është normale të na shkojë mendja se mund të jetë i gjallë. Unë ndihem shumë keq që ai nuk vazhdoi të jetonte sepse do bënte shumë punë të mira për Kosovën dhe Shqipërinë sepse ishte një njeri shumë vizionar, i sinqertë, i guximshëm dhe njeri që u printe proceseve vetë. I gjithë populli shqiptar ka humbur shumë me humbjen e babait tim, jo vetëm ne si familje. Është mëkat i madh çfarë kanë bërë Sali Berisha, Bashkim Gazidede, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.

Bëj lutje publike që qeveritarë, prokurorë e gjyqtarë të angazhohen të zbardhin rastin e babait tonë, t’na i dorëzojnë eshtrat e t’ia bëjmë një varr, dhe në këtë mënyrë t’ia kthejnë dinjitetin shtetit shqiptar. Burrat më të mëdhenj të kombit shqiptar i ka vrarë vetë shteti shqiptar! Mjaft më ujërave të tradhtisë!

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Back to top button
LAJMET E FUNDIT