Edi Rama njofton se do hedh në gjyq edhe Ramush Haradinajn

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj duket se do të vendosin një rekord famëkeq në nivelin më të lartë të raporteve mes politikës shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë.

Shefi i qeverisë shqiptare njoftoi se do të padisë për shpifje kryeministrin në ikje të Kosovës. Ai tha se përfaqësuesit e tij ligjorë do ta dorëzojnë padinë në Gjykatën e Prishtinës.

Ky vendim i Ramës vjen pas një deklarate të Haradinajt në një intervistë televizive.

Sipas Haradinajt, Vuçiç, Thaçi dhe Rama nëpërmjet ndarjes së Kosovës i hiqnin kësaj të fundit 10 miliardë € fitime nga miniera e Trepçës.

“Me një investim jo më të madh sesa 140 milionë €, Trepça jep një fitim neto rreth 500 milionë € në vit, për 20 vjet bëjnë 10 miliardë €. Ndalova grabitjen 10 miliardë €, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme. Por, unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçës, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”, tha Haradinaj.

Kjo deklaratë ka bërë që Edi Rama të bëhet gati për përballjen në gjykatë me Haradinajn, ashtu siç po bën me disa aktivistë dhe gazetarë, të cilët i akuzon për shpifje.

Deri tani ka fituar 2 gjyqe.

“Për 10 miliardëshin unë kam një zyrë të posaçme të anti-shpifjes. Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë. Por një gjë di të them unë, këtyre lloj politikanëve bravo u qoftë që gjejnë dhe bëjnë, them unë… Ata që votojnë për këtë lloj politike ato qofshin dhe bravo u qoftë!”, tha Rama në emisionin “Opinion”.

“Dha dorëheqjen me demek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë dhe hera e fundit që të dal publikisht, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt”, tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT