“Është e tepërt kur i shtohen bishta”, Rama: Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së, nuk ka lidhje me ne refuzimi i negociatave

Kryeministri Edi Rama tha se përsa i përket negociatave Shqipëria i ka bërë që të gjitha detyrat, dhe se “Jo” e sotme ishte si pjesë e problemeve të brendshme të BE, ashtu siç tha presidenti Macron.

“Janë bërë përpjekjet maksimale për të arritur të marrim atë që na takon, asgjë më shumë, atë që kemi merituar, dhe këtë tanimë e ka thënë jo vetëm me shkrim Komisioni Evropian, por e keni dëgjuar të thuhet nga një pjesë e madhe të kryeministrave të BE-së dhe nga vetë kancelarja e Gjermanisë.

Kam marrë një numër mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave në takim, kemi qenë në kontakt edhe në mbrëmje me disa prej tyre.

Kam komunikuar edhe me presidentit e Francës dhe nëse duam të shikojmë të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh mes Francës dhe Gjermanisë dhe një pjese të konsiderueshme të frontit që ishte për një PO të qartë. Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën për kompromis, duke i vendosur një POR, PO-së.

Në takimet mes Merkelit dhe Presidentit të Francës, është diskutuar dhe nuk ka pasur nga ana e tij asnjë hapje: Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces, Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE-së dhe një transformim të vetë procesit të integrimit, deri në pikën që të arrihet në një tjetër objektiv për horizontin e integrimit.

Një ndërveprim me Ballkanin Perëndimor që nuk mund të zhvillohet me të njëjtën metodë të procesit të deritanishëm të zgjerimit. Liderët e BE-së, që nga Presidenti i Këshillit, i Komisionit, Komisioneri për Zgjerimin, e thanë qartë që kjo që ndodhi është mosarritje konsensusi me vendet anëtare për arsyet e tyre.

Është e tepërt kur i shtohen bishta kësaj që është thelbësore: jo po azilantët, jo po kjo, jo ajo, këto janë bishta. Në këtë situatë, cilido nga vendet që janë sot në BE dhe të priste mbrëmë konsensus, nuk do kishte marrë dot. Tema është spostuar gjetkë.

Kemi marrë një refuzim për tu marrë në konsideratë për çeljen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi marrë asgjë më shumë se kaq, rruga jonë është e njëjta pa asnjë ndryshim, se i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë reformat për vendin tonë”, tha Rama. (TemA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT