Finlanda: Kushtet gjermane të mirëpritura, po ju nuk jeni si Shkupi

Ministri i jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, vendi i të cilit mban edhe presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, ka vizituar Tiranën këtë të mërkurë.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, Haavisto ka zhvilluar dhe një konferencë të përbashkët për mediat me zv.ministrin e jashtëm, ministër në detyrë, Gent Cakaj.
Haavisto theksoi se Helsinki kërkon që Shqipërisë t’i çelen bisedimet e anëtarësimit.
Ministri u shpreh: “Ballkani Perëndimor nuk është në një qoshe të largët, por është në qendër të Evropës. Ne i mbështesim bisedimet që po zhvillohen me Malin e Zi dhe Serbinë, tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Por ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit, ai duhet të merret në unanimitet me të gjitha vendet”.
Haavisto shprehu mospajtim me ato shtete të Bashkimit Evropian që lënë pasdore procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit.
Ai theksoi: “Problemet e tyre të brendshme nuk kanë pse të pengojnë procesin e zgjerimit”.
Por për ministrin e jashtëm finlandez, kushtet e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë janë mirëpritur nga shumica e vendeve anëtare.
Në konferencën për mediat, ministri finlandez u shpreh se pas vendimit të qeverisë gjermane, shumë vende anëtare po thonë se bisedimet me Tiranën dhe Shkupin “mund të fillojnë”.
I pyetur, në vijim, nëse skenari për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, e cila u kërkua nga vende si Franca dhe Holanda, është ende të tryezë, Haavisto deklaroi se edhe nëse Shkupi dhe Tirana hapin njëkohësisht negociatat, nuk do të thotë së do të bëhen njëkohësisht pjesë e BE-së.
Ai tha:
“Fjala ime e parë është se edhe nëse vendet i fillojnë njëherazi negociatat nuk do të thotë se do t’i përfundojnë në të njëjtën kohë. Të gjitha vendet janë pjesë e procesit në bazë të meritave të tyre. E dyta, ka të bëjë me atë që ndjeva unë përsa i takon Maqedonisë së Veriut. Ajo ka arritur një marrëveshje më Greqinë që është shumë unike, se ka të bëjë me identitetin dhe emrin e tyre. Për këtë qeveria edhe u kritikua. Ne në BE dhe në Finlandë gjithashtu mendojmë se marrëveshja është një shembull i shkëlqyer se edhe gjerat që janë historikisht komplekse mund të zgjidhen. Dhe ky do të ishte model për të gjitha vendet në rajon. Ky ishte padyshim një hap pozitiv. Megjithatë, vendet po vijnë në këtë proces në bazë të meritave të tyre dhe komente të tilla sic ka bërë Bundestangu Gjerman për kushte të caktuara, janë të shprehura përgjithësisht në Europë përpara bisedimeve. Pra nuk shoqërohet në mënyrë automatikë njëri vend me tjetrin, thjesht ka ndodhur që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në këtë moment dhe në këtë fazë ku shumë vende anëtare po thonë se bisedimet mund të fillojnë”.