“Fitorja e Albin Kurtit do të sjellë shpresë për gjithë shqiptarët!”, Qosja sheh ditë të mira për Kosovën: Të bashkohemi me Shqipërinë!

Akademiku shqiptar, autoriteti moral i shqiptarëve, këtej e andej kufirit, Rexhep Qosja dy ditë para zgjedhjeve shkroi editorialin “Zgjedhjet e parakohshme dhe kriza e vlerave”, ku tregoi votën dhe besimin te Vetëvendosja. Sot, një ditë pas fitores se Albin Kurtit, profesor Qosja tregon pritshmërinë e tij nga një qeveri vetëvendosëse, duke folur edhe emër për emër për humbësit e këtyre zgjedhjeve, nga Mustafa te Thaçi e Haradinaj, por mbi të gjitha për fituesin real të zgjedhjeve në Kosovë, Shpresën!

Profesor Rexhep Qosja tregon besimin e palëkundur te bashkimi i trojeve, i kombit në një: “Në këtë mision politik, demokratik, shoqëror e atdhetar të tyre pashmangshëm duhet të jetë i përmbajtur edhe ideali historik: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”

Profesor, ju e parashikuat këtë fitore të VV-së, ose thënë më mirë e orientuat votën, duke deklaruar pritshmëritë tuaja për VV-në. Si ndiheni sot, një ditë pasi ndodhi?

Si edhe shumë votues dhe qytetarë të Kosovës e ndiej veten shumë mire pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Dhe e ndiej veten shumë mire sepse zgjedhjet u zhvilluan dhe përfunduan me plotësimin e standardeve të larta të demokracisë. Kosova, me këto zgjedhje e dha një provë pjekurie politike që duhet të çmohet prej bashkësisë ndërkombëtare. E ndiej veten mirë, posaçërisht mirë, pse në këto zgjedhje fitoi partia, vlerat dhe meritat e se cilës i kam paraqitur në shkrimin e bërë publik pak ditë para zgjedhjeve. E fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti.

Profesor, sa rëndësi kanë këto zgjedhje për frymën që i sjellin Shqiptarisë?

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit janë të rëndësishme, aktualisht dhe historikisht të rëndësishme, për arsye se botës shqiptare i sjellin shpresën për ndryshime të thella e të gjithanshme të gjendjes me krizë të thellë të vlerave politike, shoqërore, demokratike, kulturore, domethënë se sjellin shpresën për shërimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës nga pasojat e rënies së thellë morale të prodhuar prej politikës së deritashme.

Profesor, mesa duket fituan Albini dhe Vjosa, si frymë, por matematika e politikës mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës dhe Veselit? A do ta pranojë Kosova këtë?

Ju po thoni me të drejtë se fituan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani dhe njëkohësisht shprehni drojën se fitorja e LDK-së si parti e dytë në zgjedhje mund të sjellë qeverisje të Isa Mustafës. Sipas mendimit tim, roli qeverisës i kryetarit të LDK-së është i përfunduar. Dhe është i përfunduar për disa arsye: e para, për arsye se LDK-ja ia ka dhënë rolin e qeverisjes Vjosa Osmanit; e dyta, për arsye se Isa Mustafa është i rënduar politikisht prej disa veprimeve shumë të dëmshme që bëri në koalicionin me PDK-në dhe e treta, për arsye se është i rënduar fort prej korrupsionit, nepotizmin dhe konfliktit të interesit të ushtruar si bashkëqeverisës me PDK-në dhe si kryetar i LDK-së. Ai tani mund të bëjë vetëm një gjë: mund ta sabotojë dhe ta prishë koalicionin Vetëvendosje–LDK. /Dritare

Back to top button
LAJMET E FUNDIT