“Franca ka të drejtë por s’ka rrugë tjetër veç hapjes së negociatave”

Ministrat e Jashtëm të BE që diskutojnë të martën (15.10) në Luksemburg për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ndoshta do të kenë një diskutim jo fort të gjatë.
Franca ka paralajmëruar se do të pengojë me veto fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.
Ky vend është i mendimit, se reformat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë të mjaftueshme, shkruan gazeta gjermane “Handelsblatt”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon gjithashtu një reformim të thellë sipas tij të vetë procesit të anëtarësimit.
Josef Janning, drejtues i zyrës së Berlinit në Këshillin Europian për Marrëdhëniet e Jashtme që i kushtohet politikës së jashtme europiane, thotë se frika e Francës ka qenë e hershme.
“Francezët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar se BE përmes shtimit të anëtarëve dëmtohet dhe në fund do të mbetej vetëm tregu, e nëse mbetet vetëm tregu, atëherë as ai nuk do të mbetej një ditë…
Po të hedhësh vështrimin pas, mund të thuash, se kjo frikë nuk ishte aq e paargumentuar”, thekson Janning për radion gjermane, “Deutschland Funk”.
Megjithatë ai nuk sheh rrugë tjetër për BE, veç çeljes së negociatave.
“Duhet parë edhe ana tjetër, nëse nuk ka një qëllim, një perspektivë të besueshme anëtarësimi, atëherë për aktorët politikë aty bëhet shumë e vështirë t’i qëndrojnë kursit për t’i mbajtur vendet e tyre në mënyrë konsekuente në drejtim të BE – së. Në këtë kuptim ndihmon shumë perspektiva e anëtarësimit”, – thotë Janning.
“Për BE shtrohet pyetja a mundet ajo t’i mbajë larg ato demokraci europiane që duan të futen brenda saj. Këtë ajo nuk mund ta bëjë, pa dorëzuar idenë se është vatër e të gjitha demokracive në Europë”, thekson Janning, cituar nga Deutsche Welle.