“Gabim i madh nëse shtyhet hapja e negociatave me Shqipërinë”
Johannes Hahn, komisioneri Europian për Zgjerimin ka deklaruar se do ishte gabim i madh politik, nëse Bashkimi Europian vendos që të mos hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai foli për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, duke theksuar se nëse do ishte në dorë të tij do të bënte gjithçka për të shmangur një refuzim nga BE për hapjen e negociatave.
“Vendet anëtare të BE-së shpesh vendosin për arsye të lidhura ngushtësisht me politikën e tyre të brendshme, por disa sinjale më bëjnë optimist”, shtoi Hahn.
Lidhur me hezitimin e Francës për një “PO”, për hapjen e negociatave, Hahn thotë se ka konstatuar gatishmëri për të kërkuar një zgjidhje nga Franca.
“Ka ende kohë për arritjen e një marrëveshjeje dhe kjo është njëkohësisht çështje përgjegjësie dhe besimi edhe për BE-në”, theksoi Hahn.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian, pritet që me 17-18 tetor të vendosin nëse do ketë një vendim pozitiv për hapje negociatash me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.