Gratë ministre, letër Holandës: Mos shpërbleni “forcat e errëta” anti-shqiptare

Këtë të martë, zonjat që janë pjesë e qeverisë së Shqipërisë iu drejtuan me një letër qeverisë holandeze.

Në letrën që mban vetem firmën e ministreve gra të qeverisë theksohet me krenari se vetëm para pak ditësh, OKB-ja e vlerësoi Shqipërinë si një prej pesë vendeve të globit me kabinetin qeveritar më të balancuar nga pikëpamja gjinore.

Në letër shkruhet:

“Tetë nga pesëmbëdhjetë ministritë në qeverinë shqiptare drejtohen nga gratë; si nëna dhe vajza, si gra që luftojmë për familjet tona dhe për vendin tonë, ne do të donim të shtronim me ju një çështje që na shqetëson shumë të gjithëve, e cila ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët- perspektiva evropiane e vendit tonë”.

Në vijim, në letër ministret theksojnë së në Shqipëri ka një admirim për Holandën, si një komb me tradita të mëdha dhe një rekord të guximit politik e tolerancës shoqërore. Por Shqipëria, nënvizohet aty, ka një histori shumë të ndryshme. “Në rrugën e demokracisë ne hymë vetëm 30 vjet më parë, pas 5 dekadash të gjata e të errëta, si një lloj Koreje europiane e Veriut”.

Në letrën e ministreve drejtuar qeverisë holandeze gjithashtu theksohet se, pavarësisht vështirësive, gjatë këtyre tre dekadave Shqipëria ka përparuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe, duke u shprehur se “vendi po ndryshon për mirë çdo ditë, por nuk mungon gjithashtu ndërgjegjësimi se kemi ende një rrugë të gjatë përpara”.

Më tej thuhet: “Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm, .. dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë”.

Letra e ministreve të Shqipërisë përfundon duke shprehur se “dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT