“Kemi aplikuar që në 19 gusht”. 200 shqiptarë në Mynih peng i zvarritjeve, nuk u jepen pasaportat

Rreth 200 shtetas shqiptarë, emigrantë në Gjermani  kanë aplikuar për pasaportën shqiptare në Mynih që në datën 19 gusht por ende nuk kanë mundur t’i tërheqin ato megjithë tejkalimin e të gjitha afateve ligjore.

Sot kanë marrë njoftimin se prodhimi i pasaportave të tyre nuk ka nisur ende.

“Kemi paguar secili nga 187 euro për pasaportë, unë vetë jam me pasaportë gjermane, por kam aplikuar për vajzën e vogël 8 vjeçare. Kishim planifikuar të vizitonim Shqipërinë sepse ka dy javë pushime nga shkolla dhe kemi aplikuar që në gusht me qëllim që pasaporta e saj të ishte gati” – tha për Dita në linjë telefonike një nga aplikantët që kanë pritur edhe sot në radhë më kot për pasaportat.

Fillimisht Ambasada u ka komunikuar se i ka vonuar Posta Gjermane.

Por disa nga aplikantët kanë verifikuar me anë të kompjuterit se ky ishte një mashtrim, pasi çdo dërgesë ka një kod me anë të së cilës mund të verifikosh vendndodhjen.

Pasi alibia me postën doli e rreme, aplikantëve u është thënë gjatë ditës së sotme se “Ministria e Brendshme nuk ka dhënë OK”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT