Kokëdhima: Rama ka premtuar “vetëdeklarimin e minoritetit” në takimin me Micotaqis në Nju Jork

Kreu i partisë ‘Zgjidhja’ Koço Kokëdhima, ish-deputet i PS thotë se Rama ka premtuar të miratohet një kërkesë e Greqisë për “vetëdeklarim të minoritetit grek”.
Sipas Kokëdhimës, dikur mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës, biseda është bërë gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së.
Më poshtë deklarata e kreut të partisë Zgjidhja:
“Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, zbuloi dje kushtet e Greqisë që Shqipërisë t’i jepet ‘po’-ja e qeverisë greke për hapjen e negociatave me BE-në.
Duke treguar për takimin mes kryeministrave Edi Rama dhe Kyriakos Mitsotakis në SHBA, gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së, ministri i jashtëm grek u shpreh: “Vetëdeklarim për minoritetin grek. Ky nuk është pretendimi i Greqisë kundër Shqipërisë, por është një e drejtë themelore e njeriut. A mund të thotë dikush “Jo ti nuk je” kur ti mendon se i përket pakicës greke?”
Partia ‘Zgjidhja’ i dënon ashpër këto deklarime që bien ndesh me sovranitetin e Shqipërisë dhe parimet e fqinjësisë së mirë mes të dyja vendeve që ndajnë mes tyre shumë histori dhe probleme të përbashkëta.
Shqipërisë nuk mund t’i kushtëzohet anëtarësimi në BE me kërkesa që na kthejnë te ambiciet shoviniste të shekullit të kaluar. Greqia e di shumë mirë se ku banojnë minoritarët etnikë grekë, siç e di që dhjetra mijëra shqiptarë kanë ndryshuar emrat dhe identitetin e tyre të shtërnguar për të punuar dhe jetuar në shtetin grek, apo për të marrë një pension nga qeveria greke në Shqipëri.
Por kjo nuk do të thotë se ata janë grekë dhe duhet të vetëdeklarohen si të tillë. Minoriteti grek, si dje edhe sot, ndaj të njëjtat halle dhe gëzime me shqiptarët e Shqipërisë dhe bashkëjetesa mes tyre nuk ka qenë asnjëherë problem.
Partia ‘Zgjidhja’ është kundër presioneve të qeverisë greke ndaj qeveritarëve të korruptuar të Tiranës që janë gati të bëjnë pazare me interesat kombëtare, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit për të mbrojtur lirinë, pushtetin dhe pasurinë e tyre personale.
Rama, nga ana e tij, duhet t’u sqarojë shqiptarëve atë që nuk deklaron kryediplomati grek: A i ka premtuar vetëdeklarim të shqiptarëve si grekë homologut helen? A i ka premtuar lëshime në marrëveshjen e re të detit? Çfarë kompromisi u ka propozuar?”