Kur njësia speciale ruse e GRU vepronte në Kosovë pas çlirimit dhe alarmoi NATO-n

Nga Ylli Pata
Dje në mediat botërore ka zënë vend lajmi i zbulimit apo zbardhjes së aktivitetit të një njësie speciale të shërbimit sekret ushtarak rus GRU për veprime destabilizues në Europë.
Njësia 29155 cilësohet si kontigjenti operacional i shërbimit më të fuqishëm sekret rus që vepron jashtë kufijve të vendit. Gru u përmend shumë në vitin 2016 për tentativën për eleminimin e kryeministrit të atëhershëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, sot President, me synim frenimin e pranimit të këtij vendi në NATO.
Në librin e protokolleve të GRU në mediat botërore është folur për shumë operacione të nivelit të gjerë dhe atë më të vogël.
Pork y shërbim sekret ka qenë aktiv në Kosovë që në vitin 1999, kur trupat ruse hynë “pa leje” në Kosovë duke provokuar edhe një konflikt të armatosur me NATO-n e cila çliroi Kosovën.
Në pranverën e vitit 2001, një histori spiunazhi alarmoi KFOR-in në Prishtinë por edhe shtabin e përgjithshëm të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Një oficere e re e trupave britanike punonte në aeroportin e Sllatinës pranë Prishtinës, ku ishin dislokuar edhe trupat ruse që më vonë u larguan përfundimisht nga Kosova.
Kapitenja britanike Helen Molyneux, pjesë e 89 Signal Squadron ishte oficere ndërlidhëse e trupave të NATO-s me forcat ruse në Sllatinë. Në atë kohë kontigjenti rus më shumë kryente një rol jo shumë aktiv, edhe pse ishte pjesë e KFOR, ku fillimisht nuk kishte vetëm trupa të NATO-s por edhe nga vende të tjera të OKB-së si Ukraina apo edhe shtete të Lindjes së Mesme.
Trupat ruse, kryesisht një kontigjent i forcës elitë të parashutistëve vepronin në aeroportin e Prishtinës, duke e mbajtur në ruajtje atë, si dhe ruajtën manastiret serbe në rrafshin e Dukagjinit.
Në vitin 2000, një grup parashutistësh rusë u përplasën fizikisht dhe Ramush Haradinajn, ku ish-kryeministri i Kosovës i rezistoi për rreth një orë edhe pse në inveritet numerik, duke kryer një demonstrim artesh marciale të nivelit të lartë.
Një marrëdhënie e afërt e oficeres 31 vjeçare britanike Molyneux me kolonelin Alexandër Vasiliev, 39 vjeç që thirrej “Sasha”, alarmoi shërbimet e NATO-s dhe natyrisht MI6-ën britanike, e cila është shumë aktive në Ballkan. Sipas shërbimit sekret ushtarak britanik, Sasha nuk ishte gjë tjetër veçse një ushtarak i lartë dhe operativ i shërbimit ushtarak rus Gru.
Menjëherë pas alarmit kapitenja 31 vjeçare u thirr në Londër, ku për 6 muaj u përball me pyetjet e vështira të hetimit ushtarak për lidhjen sentimentale që kishte pasur me kolonelin e ushtrisë ruse, për të cilin shërbimet e NATO-s dyshonin se ka aktivizuar operacionin “Romeo” një metodë e vjetër e KGB-së për tu lidhur me gratë vetmitare të administratës së lartë në vendet perëndimore, nga ku vidhnin dosje shumë sekrete. Një rast i tillë u zbulua në fund të viteve 80 edhe në zyrat qendrore të FBI-së në Washington DC.
Hetimet u zhvilluan në mënyrë sekrete por fakt është që nuk kaluan as edhe dy vjet që trupat ruse të largoheshin nga Kosova, padyshim të ndikuar edhe nga një zhvillim i tillë. Kjo histori spiunazhi pushtoi mediat britanike, por pati jehonë edhe në disa media të Prishtinës dhe Tiranës në atë kohë.