“Macron bëri lojë bishtash, Franca qasje më vete nga Gjermania”

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e konsideroi shqetësim rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama thotë se kjo deklaratë e Macron është për konsum të brendshëm politik në Francë dhe nuk ka të bëjë aspak me refuzimin për mos hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Kryeministri Edi Rama pranoi se ka rritje të numrit të azilkërkuesve në Francë, duke shpjeguar edhe arsyet e këtij fenomeni.

“Ka një arsye. Dhe arsyeja lidhet me faktin që fluksi i azilkërkuesve, që nuk janë politikë fare, janë qytetarë të Europës që njësoj si gjithë qytetarët e tjerë të Europës lëvizin për punë, por ndryshe nga qytetarët e BE nuk janë njerëz të lirë brenda tregut të punës, nuk mund të shkojnë të regjistrohen në punë dhe shkojnë bëjnë kërkesë për azil për të fituar kohë. Deri në momentin kur Gjermania ishte një destinacion që ofronte një paketë bujare për ata që vinin për të bërë azilkërkimin, pra para, muaj të tërë për shqyrtim, nuk shkonte njeri në Francë. Kthesa filloi kur me Gjermaninë ne arritëm që të krijojmë atë që duhet, bazën e origjinës së sigurtë. Pra, Shqipëria është një vend origjine i sigurtë, nuk është në luftë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se çështja e azilkërkuesve shqiptarë që ngriti Macron është “lojë bishtash” që do përdoret prej tij për politikë të brendshme në Francë.

Sa u përket vendeve të Bashkimit Europian që refuzuan hapjen e negociatave për Shqipërinë, Kryeministri sqaroi se ishin kundër vetëm Holanda dhe Danimarka.

Ndërsa Franca, sipas Ramës, ka një qasje tjetër për procesin e zgjerimit të BE-së, që bie në kundërshtim edhe me Gjermaninë.

“Nuk ka pasur një shumicë vendesh kundër Shqipërisë. Ka pasur vetëm dy vende, Holanda dhe Danimarka. Asnjë tjetër. Ka pasur një shumicë dërrmuese vendesh jo vetëm pro, por pa kushte. Një vend i vetëm ‘Po’ me disa kushte që ishte Gjermania dhe që me atë pozicion tentoi të krijonte një urë. Franca ka një pozicion që nuk ka asnjë lidhje me Maqedoninë e Veriut apo me Shqipërinë në vetvete, por ka lidhje me një qasje komplet tjetër në konflikt me qasjen gjermane për mënyrën si duhet të vazhdojë procesi i zgjerimit. Franca është një nga aktorët kryesorë që ka bllokuar de facto vazhdimin e hapjes së kapitujve për Serbinë dhe Malin e Zi”, u shpreh kryeministri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT