Macron flet për JO-në franceze: Ka disa përpjekje, por nuk janë ku duhet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka konfirmuar vendimin për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në konferencën me mediat në samitin e liderëve të BE ne Bruksel, Macron tha se vendet e Ballkanit kanë bërë përparime, por ata nuk janë të mjaftueshme.
Macron u shpreh: “Një numër i madh vendesh në BE nuk ishin të vendosura për të hapur negociatat. Ka disa përpjekje dhe arritje, por nuk janë atje ku duhej të ishin”.
Macron shtoi: “Nuk është e nevojshme për momentin që të ketë një zgjerim. Shikoni rrugën e 28 vendeve. Ne kemi kaluar një krizë të madhe dhe nuk mundemi thjesht të hapim derën”.
Macron vijoi: “Në axhendën e BE dhe këtu po flas për të ardhmen, atëherë mund ta shikojmë atë. Jemi në një proces që besoj se është shumë burokratik. Ka dhe marrëveshje politike, por nuk do të thotë ndonjë gjë për njerëzit që janë pjesë e procesit”.
Lidhur me zërat se refuzimi do rritë ndikimin rus apo kinez në rajon, Macron tha:
“Kina, Rusia do ndikojnë përsëri edhe nëse hapen negociatat. Këto vende janë tashmë në proces, jo domosdoshmërisht mund të jenë anëtarë. Nëse dëshironi ti qëndroni ambicieve të Evropës duhet të reformoheni”.
Macron nënvizoi për Shqipërinë se duhet të punojë për të çmontuar rrjetet kriminale dhe për sundimin e ligjit.
Ai foli mbi paradoksin mes fjallve dhe realitetit duke theksuar se nëse ka siç thuhet ndryshime për mirë, si shpjegohet që shqiptarët i janë rikthyer masivisht ikjes nga vendi.
“Është e vështirë tu shpjegosh qytetarëve tanë që nga një vend që konsiderohet i sigurt dhe që nuk ka nevojë për viza të ketë kaq shumë migrim. Kemi probleme me kërkesat për azil. Nuk mund të marrim vendime që janë kaq të pamundura për t’u kuptuar nga qytetarët tanë” – tha presidenti francez.